Lajmet e fundit

Nga takimi i Znj. Sahatqija me Avokatin e Popullit, Jashari

E Premte, 01.04.2016




Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Teuta Sahatqija, ka pritur sot në takim Avokatin e Popullit, Hilmi Jashari, me të cilin diskutuan për realizimin e të drejtës së pensionistëve kosovarë nga shteti serb.

Duke e njoftuar Avokatin e Popullit, Jashari, për angazhimet e Komisionit rreth kësaj çështjeje, Sahatqia theksoi: "Komisioni është duke u përpjekur që t'i ndihmojë qytetarët në grumbullimin e dokumentacionit të duhur, si dhe krijimin e kushteve, në mënyrë që ata të kenë mundësi t'i drejtohen Gjykatës Evropiane në Strasburg". Ajo foli edhe për nevojën e një koordinimi më të mirë ndërinstitucional për këtë çështje, ndërkaq, propozoi që së bashku me Avokatin e Popullit, të takojnë edhe ministrin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Avokati i Popullit, Jashari, nga ana e tij, e falënderoi znj. Sahatqija për pritjen, si dhe angazhimin e saj për jetësimin e së drejtës së pensionistëve.

Ai më pas e njoftoi kryetaren Sahatqija për lobimin që është duke bërë, në mënyrë që kjo çështje të ngritet edhe në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës.

Në fund të takimit, kryetarja e Komisionit, Sahatqija dhe Avokati, Jashari, duke u bazuar në disa vendime parimore të Gjykatës Evropiane në Strasburg, shprehën besimin e tyre në një epilog pozitiv për realizimin e së drejtës së 60 mijë qytetarëve kosovarë nga Serbia.

Për t'ia dalë mbanë kësaj çështjeje, ata kërkuan angazhime të koordinuara në të gjitha nivelet institucionale.

 

Nga takimi i Znj. Sahatqija me Avokatin e Popullit, Jashari