Lajmet e fundit
Dëgjim publik Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Mërkure, 30.03.2016
Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale kryesuar nga kryetarja e komisionit Flora Bronvina mbajti sot dëgjim publik, për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara.
Qëllimi i këtij dëgjimi publik ishte komunikimi me shoqatat personave me aftësi të kufizuara, me Odën ekonomike të Kosovës si dhe shoqatat e bizneseve dhe grupeve të interesit, për tu njohur me opsionet, vërejtjet dhe sugjerimet e tyre lidhur me ndryshimin dhe përmirësimin sa më i mirë i këtij projektligji.
Kryetarja e komisionit Flora Bronvina pasi përshëndeti të ftuarit bërë një përshkrim të shkurtër të ligjit duke theksuar se këtë ligj në Kuvend e ka sjellë ish kryetari i shoqatës Handikos. Më pas fjalën e mori kryetarja e grupit punues Njomza Emini, e cila në vazhdim drejtoi këtë takim.
Pas rekomandimeve dhe sugjerimeve të ndryshme të paraqitura nga shoqatat e personave me aftësi të kufizuara u shfaqën edhe dy probleme gjatë këtij dëgjimi publik.
Shoqata e personave me aftësi të kufizuara theksuan se duhet ulur numri nga një të punësuar në çdo pesëdhjetë punëtorë, në një me njëzetë e pesë, si dhe punësim me dinjitet dhe jo për mëshirë.
Përfaqësuesit e grupeve të bizneseve kundërshtonin zbritjen e përqindjes në 1 me 25 dhe vendosjen me ligj të përcaktimit.
Minire Begaj, si përfaqësuese e Ministrisë së Punës theksoi se kjo ministri ka menduar për kompensimin e bizneseve lidhur me punësimin e personave me aftësi të kufizuara, në përfitimin doganave dhe zbritjen e tatimeve etj.
Në fund, znj. Emini i falënderoi pjesëmarrësit për angazhimin e tyre, duke shtuar se të gjitha komentet vërejtjet dhe sugjerimet, të cilat do ti marrin me shkrim, do të analizohen dhe diskutohen gjatë punëtorisë, të cilën do ta mbajë komisioni për këtë projektligj.