Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare

E Mërkure, 30.03.2016




Fare në fillim të seancës së sotme plenare, të drejtuar nga Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit, nënkryetari i Komisionit për mbikëqyrjen e financave publike, Ali Sadriu, ka propozuar që si pikë e pestë e rendit të ditës të futet përzgjedhja e Auditorit të përgjithshëm. Me këtë propozim janë pajtuar të gjithë shefat e grupeve parlamentare nga pozita, ndërkaq në seancë mungonin deputetët nga radhët e opozitës. Kur ka ardhur radha e shqyrtimit të kësaj pike, z. Sadriu ka prezantuar propozimin-vendimin e presidentes Jahjaga që Auditor i përgjithshëm të zgjedhet Besnik Osmani ( nga tre kandidat që i janë dërguar asaj).

Nënkryetari i Kuvendit, Haliti, i ka sqaruar deputetët se Auditori i përgjithshëm zgjedhet me shumicën e thjeshtë të zë gjithë deputetëve ( me më së paku 61 vota). Pasi emrit të propozuar të Auditorit i kanë dhënë mbështetje krerët e grupeve parlamentare të pozitës, Besnik Osmani është zgjedhur Auditor i përgjithshëm i Kosovës me mandat pesëvjeçar (me 76 vota për, 1 abstenim dhe 3 kundër).

Menjëherë pas kësaj është shqyrtuar rekomandimi i Organit Përzgjedhës të Pavarur për emërimin e anëtarëve në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Në seancë është theksuar se pas intervistimit të kandidatëve konkurrent nga Komisionin përzgjedhës, kandidatë për Organin Shqyrtues të Prokurimit janë propozuar. Blerim Dina, për kryetar, si dhe Goran Milenkoviq dhe Nuhi Paqarizi, për anëtarë. Me shumicë votash të deputetëve ( 64 për, 10 abstenime dhe 1 kundër) ata edhe janë zgjedhur në këto poste me mandat pesëvjeçar.

Në fillim të seancës së sotme janë miratuar në parim një projektligj dhe tri raporte komisionesh të shqyrtuara në seancën e fundit, por të pa nxjerra në votim për mungesë kuorumi të deputetëve. Prandaj me shumicë votash të deputetëve është miratuar në parim Projektligji nr. 05/L-091 për mbrojtjen nga zhurma, duke e ngarkuar komisionin funksional dhe komisionet e përhershme që për Kuvend të përgatisin raportin me rekomandime. Tutje janë miratuar: Raporti i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale lidhur me mbikëqyrjen buxhetore të Skemës së Ndihmës Sociale për periudhën 2013-2015, si dhe Raporti i punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2014, Raporti i Komisionit për të Drejta dhe Interesa të Komuniteteve dhe Kthim lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Fshatin Hoçë e Madhe dhe Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit.

Po në këtë seancë janë shqyrtuar për herë të dytë tri projektligje.

Projektligji nr. 05/L-07 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 3/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë ( raportim me rekomandime për të cilin e ka prezantuar kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani) ,është miratuar me shumicë votash të deputetëve, së bashku me dy amendamentet e propozuara Ndërkaq dy projektligjet e tjera: Projektligji nr.05/L-064 për patentë shofer, si dhe Projektligji nr. 05/L-31 për Procedure e Përgjithshme Administrative, raportet për të cilët i kanë paraqitur deputetët Raif Çela dhen Sadri Ferati, është vendosur ta kalojnë edhe shqyrtimin e tretë, në mënyrë që të evitohen disa kundërthënie ndërmjet komisionit funksional dhe Komisionit për Legjislacion. Vendimi është marrë pas arsyetimeve që ka dhënë deputeti, Armend Zemaj.

 

 

 Nga punimet e seancës plenare Nga punimet e seancës plenare Nga punimet e seancës plenare Nga punimet e seancës plenare