Lajmet e fundit
Kryetari Veseli mori pjesë në manifestimin përkujtimor me rastin e 17-vjetorit të masakrës së Izbicës
E Hënë, 28.03.2016
Sot, në 17-vjetorin e masakrës së Izbicës, gjatë të cilës u vranë dhe u masakruan nga forcat serbe 147 civilë të pafajshëm shqiptarë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë në manifestimin përkujtimor në fshatin Izbicë të Skenderajt dhe mbajti një fjalë rasti.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari Veseli e konsideroi lëndinën e fshatit Izbicë lëndinë të dhimbjes dhe krenarisë. Të dhimbjes, sepse pikërisht në këtë vend, në pranverën e rëndë të vitit 1999, forcat ushtarake serbe masakruan qindra burra e djem të pafajshëm, ndërsa të krenarisë, sepse ëndrra e tyre për Kosovën e lirë u bë realitet.
"Kjo ishte ëndrra edhe e atyre mijëra martirëve që ranë në Reçak, Krushë e Rezallë, në Meje e Suharekë, në Gjakovë e Podujevë, në çdo fshat e qytet të Kosovës. Ne nuk do ta harrojmë kurrë sakrificën e tyre. Ne do të punojmë që liria dhe shteti i Kosovës, për të cilën ata ranë, të jetojë përgjithmonë: shtet i pacenuar, i fuqishëm, i zhvilluar, krenari e nipave dhe mbesave të këtyre martirëve që prehen në këtë lëndinë", tha kryeparlamentari Veseli.
Ai shtoi se në 17 vite të lirisë, shumë gjëra janë arritur, por edhe shumë punë të mëdha ekzistojnë përpara. Respektimi i të kaluarës, shtoi Veseli, do të thotë të punohet për të ndërtuar të ardhmen e sigurtë për fëmijët.
"Liria nga shtypja është vlerë fundamentale, dhe ne sot, deklarojmë se ky vend kurrë më nuk do të shkelet nga çizmja e pushtuesit. Por ne sot, kemi nevojë edhe për lirinë e kuptuar si zhvillim, punësim e mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës", theksoi kreu i Kuvendit.
Një Kosovë e zhvilluar ekonomikisht, shtoi kryetari Veseli, është nderimi më i madh që mund t'u bëhet të rënëve për liri. Ai tha se tani është koha që të lihen anash inatet e momentit, interesat e ngushta, e të punohet së bashku për të mirën e vendit.
Ata që dje synuan ta shkatërrojnë Kosovën, tha në vazhdim Veseli, sot ëndërrojnë ta shohin duke dështuar. Por kjo, shtoi ai, s'ka për të ndodhur kurrë.
"Ne, sot, kemi shumë vështirësi, por kemi vetëm një rrugë për t'i kapërcyer ato: të punojmë së bashku për vendin tonë, ta respektojmë më shumë njëri-tjetrin, mos t'i qesim pengesa njëri-tjetrit, ta respektojmë ligjin dhe shtetin.
Vetëm kështu, kemi të drejtë të dalim ballëhapur në këtë lëndinë, para martirëve tanë. Lavdi martirëve të Izbicës dhe të gjithë martirëve e dëshmorëve të Kosovës!", tha në fjalën e tij kryeparlamentari Veseli.