Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
E Premte, 25.03.2016
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme, të kryesuar nga Enver Hoxhaj, kryetar, u miratua plani dhe program i punës së Komisionit për vitin 2016, i shqyrtuar në takimet e mëhershme.
Tutje anëtarët e Komisionit shqyrtuan Projektligjin për ratifikimin e Konventës për heqjen e kërkesës për legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja (i 5 tetorit 1961), i cili, siç u shpreh Hoxhaj, u është shpërndarë të gjithë deputetëve më 22 mars 2016 dhe sipas procedurës së paraparë me Rregulloren e Kuvendit, neni 60 Projektligji për ratifikimin e marrëveshjeve, i nënshtrohet vetëm një leximi. Ai ka pohuar se Projektligji i propozuar ka të bëjë me "Konventa Apostille" , për anëtarësim në të cilën Republika e Kosovës ka depozituar instrumentin e aderimit më 6 nëntor 2015, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës, si shtet depozitues i kësaj konvente. Përmes aderimit në këtë konventë, Republika e Kosovës e avancon statusin e saj në arenën ndërkombëtare duke qenë e pranishme në forumet ndërkombëtare shumëpalëshe, ka sqaruar kryetari i Komisionit, Hoxhaj. Përveç kësaj, Konventa e Apostilles e Hagës i lehtëson dhe i thjeshtëzon procedurat paraprake të gjata të formaliteteve burokratike që obligojnë qytetarët dhe bizneset nga shtetet kontraktuese-anëtare të Konferencës së Hagës për të Drejtën Ndërkombëtare Private, për të dëshmuar vërtetësinë e dokumenteve zyrtare të tyre. Me anë të kësaj Konvente mënjanohet procesi i gjatë dhe kompleks i legalizimit të dokumenteve publike, duke e zëvendësuar atë me një proces të shkurtër dhe të thjeshtë, është thënë në takim.
Në vazhdim të takimit, nënkryetarja e Komisionit, Teuta Rugova , ka raportuar lidhur me vizitën e delegacionit të Komisionit, ditë më pare, në Itali dhe Hungari, për rezultatin e frytshëm të të cilave kanë folur edhe anëtarët e tjerë të Komisionit: Cerim Bajrami, Blerta Deliu-Kodra dhe Elmi Reçica, duke vënë në spikamë sidomos krijimin e grupeve të miqësisë me këto dy vende, parlamentet e të cilave kanë shfaqur vullnet për të krijuar grupe miqësie me vendin tonë.
Anëtarët e Komisionit në përfundim të takimit ( pa praninë e mediave, siç e parasheh Ligji për MPJ-në) kanë dëgjuar kandidatët e propozuar për pozitën e ambasadorit. Është bërë me dije se kandidatët për ambasador do të vlerësoheshin lidhur me përgatitjen e tyre profesionale, për reputacion e lartë që preferohet, për njohuritë në lëmin e marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe për zotërimin e gjuhës së huaj, të pranueshme dhe të përshtatshme për punën në shërbimin e jashtëm.
Komisioni i raporton rezultatet e dëgjimeve në besim, Presidentit, Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme.