Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli takoi drejtuesit e komisioneve parlamentare
E Enjte, 24.03.2016
Me qëllim të rritjes së efikasitetit të punës së Kuvendit, të funksionimit sa më të mirë të komisioneve, si dhe të përshpejtimit të shqyrtimit dhe procedimit të projektligjeve, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi sot një takim me drejtuesit e komisioneve parlamentare.
Duke dhënë një pasqyrë të legjislacionit të miratuar kohëve të fundit në Kuvend dhe atij që është në procedurë, kreu i Kuvendit kërkoi rritjen e dinamikës së punës nga ana e komisioneve parlamentare për shqyrtimin e projektligjeve, në mënyrë që Kuvendi të kryej përgjegjësitë e tij kushtetuese sipas ritmeve të parapara. Kryetari Veseli bëri të ditur se aktualisht në procedurë parlamentare janë 29 projektligje, ndërsa nga drejtuesit e komisioneve kërkoi që të intensifikojnë angazhimet për procedimin sa më të shpejtë të tyre.
Drejtuesit e komisioneve parlamentare, ndërkaq, paraqitën të dhëna rreth ecurisë së deritashme të punës për përmbushjen e detyrave dhe të obligimeve nga ana e komisioneve që ata drejtojnë. Ata potencuan angazhimet e tyre për procedimin sa më të shpejtë të projektligjeve dhe miratimin e tyre në Kuvend, në funksion të plotësimit dhe përmirësimit të infrastrukturës juridike të vendit.