Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 23.03.2016
Shqyrtimi i buxhetin për pesë komunat e Kosovës: Gllogoc, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveqan, ishte temë qendrore në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga kryetari i Komisionit, Naser Osmani.
Shqyrtimi i tashëm i buxhetit të këtyre komunave, është bërë për shkak të riaprovimit të vonshëm të buxhetit të tyre në asambletë përkatëse.
Sqarimet e nevojshme për këtë çështje i paraqiti zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Agim Krasniqi.
Duke kërkuar mbështetjen e komisionit, përkatësisht miratimin e buxhetit për komunat në fjalë, zv. ministri, Krasniqi, qartësoi se kërkesa e këtyre komunave për tu përfshirë në Ligjin për buxhetin e vitit 2016, është në përputhje me Qarkoren Buxhetore të këtij viti, si dhe mbi bazën e udhëzimeve të Ministrisë së Financave.
Anëtarët e komisionit, ndonëse ngritën çështje dhe shprehën pakënaqësi lidhur me ndarjen e buxhetit për disa nga komunat, në fund, vendosën që të përkrahin buxhetin e këtyre komunave, sipas propozimeve të tyre.
Në këtë mbledhje, komisioni miratoi edhe Raportin me rekomandime lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, të propozuar nga nisma qytetare.