Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Premte, 18.03.2016
Të enjten, më 24 mars, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë mbledhjen plenare të radhës, në të cilën do të shqyrtohen disa projektligje dhe raporte.
Ky ishte vendimi i sotëm i Kryesisë së Kuvendit, nga mbledhja e saj e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, e kryesuar nga kryetari Kadri Veseli.
Në seancën e të enjtes, pas pikave të zakonshme të rendit të ditës: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, Kuvendi do të shqyrtojë dy projektligje: për herë të parë Projektligjin për mbrojtjen nga zhurma, ndërsa për herë të dytë, atë për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar.
Më pas, Kuvendi do të shqyrtojë tri raporte: raportin e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale lidhur me mbikëqyrjen buxhetore të Skemës së Ndihmës Sociale për periudhën 2013-2015, raportin e punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2014, si dhe raportin e Komisionit për të Drejta dhe Interesa të Komuniteteve dhe Kthim, lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Fshatin Hoçë e Madhe dhe Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit. Në fund, pritet të emërohet një anëtar në Bordin për Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Në këtë seancë, Kuvendi do të formojë edhe Organin Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), nëse deri atëherë qeveria sjell në Kuvend propozimin.
Lidhur me këtë çështje, kryetari Veseli shtroi idenë që në një fazë të mëvonshme, në rolin e OSHP-së të angazhohet një kompani ndërkombëtare, si një mundësi për forcimin e këtij sektori dhe përmirësimin e imazhit që e përcjell Kosovën në këtë fushë.
Lidhur me këtë, ai bëri të ditur se ka zhvilluar diskutime me kryeministrin e Kosovës dhe parterët relevantë ndërkombëtarë.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. Kështu, në bazë të rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa, njëzëri u miratua raporti i shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2015, të cilin e paraqiti sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
Gjatë prezantimit, sekretari Krasniqi tha se raporti është proceduar në Komisionin për Buxhet dhe Financave sipas procedurave të parapara dhe se në përmbajtjen e tij janë paraqitur të gjitha shpenzimet e realizuara brenda periudhës raportuese. Shpenzimet e përgjithshme të buxhetit të Kuvendit të Kosovës për vitin 2015, në të dy kodet, atë të deputetëve dhe administratës, shtoi sekretari Krasniqi, është 95.10 për qind.