Lajmet e fundit

Dëgjimi publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...

E Mërkure, 16.03.2016




Komisioni parlamentar për të Drejtat Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në bashkëpunim me Institutin Demokratik të Kosovës (KDI-), si dhe Shoqatën e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës (HANDIKOS-in), mbajti sot dëgjimin publik, lidhur me Projektligjin për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik.

Takimi është kryesuar nga deputetja, Lirije Kajtazi, kryetare e Komisionit për të Drejtat Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, e cila vuri në spikamë qëllimin e takimit.

Ajo vlerësoi se takimi i sotëm është mundësi e mirë për të nxjerrë rekomandime, në mënyrë që projektligji të jetë sa më i kompletuar dhe efikas në përmbushjen e nevojave të paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve.

Për punën e deritashme të komisionit, foli deputeti, Nenad Rashiq, kryesues i grupit punues për amendamentimin e këtij projektligji.

Synohet, tha ai, që ky projektligj të fillojë së zbatuari në janar të vitit 2017, ndërkaq, vlerësoi se për të arritur objektivat e tij duhet një bashkëpunim i mirëfilltë ndërministrorë.

Foli më pas, përfaqësuesja e KDI-së, Kaltrina Ahmeti, e cila njoftoi për një hulumtim parlamentar, të cilin KDI-ja e ka hartuar lidhur me këtë projektligj, ndërkaq, atë para të pranishmëve e elaboroi përfaqësuesi i HANDIKOS-it, Osman Shatri.

Duke shtjelluar përmbajtjen e këtij hulumtimi të KDI-së, Shatri njoftoi se ai paraqet gjendjen në të cilën aktualisht janë paraplegjikët dhe tetraplegjikët në Kosovë, objektivat që synohet të arrihen nëpërmjet projektligjit dhe çështje të tjera kyçe me interes për këtë kategori, (e për të cilat rekomandohet përfshirje e domosdoshme në projejtligj).

Ai në vijim njoftoi se rekomandimet e paraqitura në këtë hulumtim, janë të bazuara në praktikat më të mira ndërkombëtare.

Pas kësaj, opinionin e tij lidhur me këtë projektligj e paraqiti, përfaqësuesi i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, i cili vlerësoi se projektligji përmbushë nevojat minimale të kësaj kategorie.

Që projektligji të jetë sa më adekuat për paraplegjikët dhe tetraplegjikët, u angazhua edhe kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Flora Brovina. Kjo kategori, tha ajo, duhet trajtuar me kujdes të veçantë, sepse, ajo shpërfaqë ndërgjegjen e shoqërisë.

Folën më pas edhe përfaqësuesit e shoqatës së të verbërve dhe asaj të të shurdhërve dhe përfaqësuesja e Avokatit të popullit, të cilët u angazhuan që projektligji të jetë sa më adekuat.

Në fund të debatit, anëtarët e komisionit deklaruan se vërejtjet dhe rekomandimet e shfaqura gjatë debatit do të inkorporohen në projektligj, gjatë fazës së amendamentimit të tij.

 

Dëgjimi publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...