Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale

E Marte, 15.03.2016




Mbledhja e sotme e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale drejtuar nga Flora Bronvina, kryetare, për temë kishte; informimi i Ministrit të Shëndetësisë z. Imet Rrahmani lidhur me mos miratimin e Marrëveshjes së kredisë Kosovë - Unicredit Bank Austria AG për financimin e Projektit të modernizimit të shërbimeve të kardiologjisë invazive në QKUK nga Kuvendi, si dhe informimin për Memorandumin e Mirëkuptimit, midis Zyrës së Presidentit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, për ofrimin e Shërbimeve shëndetësore falas për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Lidhur me Marrëveshjen e kredisë Kosovë - Unicredit Bank Austria AG për financimin e Projektit të modernizimit të shërbimeve të kardiologjisë invazive në QKUK, Ministri Rrahmani shprehu keqardhjen për mosmiratimin e kësaj marrëveshje, e cila ka që nga viti 2013 që bashkëpunohet me qeverinë Austriake për implementimin e saj.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, ai sqaroi detajet rreth problemeve teknike të projektit, të cilat ishin të paqarta nga anëtarët e Komisionit dhe u dakordua të bashkëpunohet edhe me Ministrinë e Financave dhe faktorë tjerë, që të gjenden rrugët për rikthimin dhe jetësimin e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme për mjekësinë e Kosovës.

Ndërsa lidhur me Memorandumin e Mirëkuptimit, midis Zyrës së Presidentit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, për ofrimin e Shërbimeve shëndetësore falas për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, meqë anëtarët e Komisionit nuk kanë informacion, ai shtoi se edhe për këtë kategori do të veprohet pak a shumë ashtu siç veprohet me kategoritë e tjera, që marrin ndihmë falas në ilaçe dhe shërbime të tjera.

Ai u shpreh i gatshëm t'i ofrojë Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale dokumentin e nënshkruar për tu njohur më hollësisht lidhur me këtë Memorandum.

 

 

Nga mbledhja e Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale