Lajmet e fundit

Sqarim i Zyrës së Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës

E Shtune, 12.03.2016




Me vëmendje përcollëm paraqitjen e anëtarit të Kryesisë të Partisë Nisma për Kosovën, ku pretendohet për gjoja skandal, përveç tjerave edhe të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për Ligjin 05/L-063 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i ndryshuar dhe i plotësuar me ligjet nr. 03/L-221, nr. 04/L-116 dhe nr. 04/L-194, miratuar në seance plenare me 14 dhjetor 2015.

Lidhur me ketë paraqitje e njoftojmë publikun se pretendimet për shkelje janë absolutisht të pa qëndrueshme dhe shpifëse, ngase me përgjegjësi deklarojmë se ligji ne fjalë i ka kaluar të gjitha procedurat e parapara me dispozitat e Rregullores se Kuvendit për procesin ligjvënës, si në vijim:

Kuvendi në seancën plenare të mbajtur me 14 dhjetor 2015, ka shqyrtuar projektligjin në lexim të dytë, dhe ka miratuar amendamentet 1, 3, 4 dhe 5, të propozuara nga Komisioni Funksional, ndërsa amendamenti 2 nuk është miratuar dhe Kuvendi ka miratuar projektligjin me amendamentet e miratuara.

Teksti final i ligjit është përgatitur mbi bazën amendamenteve të miratuara në seancë plenare dhe i njëjti është proceduar për dekretim te Presidentja e Republikës se Kosovës dhe për publikim në Gazetën Zyrtare.

Në rastet kur nuk miratohet amendamenti i propozuar, në tekstin final të ligjit mbetet teksti siç është në projektligj.

Amendamenti 2 nuk është miratuar dhe nuk është inkorporuar në tekstin e ligjit i cili është publikuar në gazete zyrtare.

Vërejtje: Shqyrtimi, diskutimet dhe votimi i Ligjit nr.03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i ndryshuar dhe i plotësuar me ligjet nr.03/L-221, nr. 04/L-116 dhe nr.04/L-194 dhe amendamenteve te propozuara, mund te gjendet ne Transkriptin e Seancës Plenare, te datës 14.12.2015:


http://www.kuvendikosoves.org/common/docs/proc/trans_s_2015_12_14_10_6251_al.pdf

Dokumentet qe e demantojnë adresimin e Nismës, janë në dispozicion në Administratën e Kuvendit.

 

 Sqarim i Zyrës së Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës