Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme

E Mërkure, 09.03.2016




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të drejtuar nga Fadil Demaku, zëvendëskryetar, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, paraqiti raportin vjetor të punës së FSK-së për vitin 2015.


Në fillim të fjalës së tij, Rama theksoi se duke u bazuar në objektivat e ministrit të FSK-së dhe prioritetet e KOMFSK-së, të dhëna në Direktivën për vitin 2015, si dhe duke u bazuar në Planin Operativ, FSK-ja ka përfunduar vitin 2015 me shumë arritje.


"Motivi i lartë i pjesëtarëve, siguria, gatishmëria, stërvitja dhe angazhimi i FSK-së kanë qenë në nivele të larta dhe në përputhje me misionin dhe detyrat e saj", tha ai.


Objektivat e FSK-së për vitin 2015 ishin: mirëmbajtja e kapaciteteve operacionale, gatishmëria e Forcës, mbështetja e institucioneve, OJQ-ve dhe komuniteteve, bashkëpunimi me partnerët, Programi i partneritetit me Ajovën dhe NLAT, bashkëpunimi me vendet e rajonit, implementimi i rekomandimeve të RSSS-së, si dhe funksionalizimi i njësisë rajonale të KSH-së, ngritja e Qendrës së Ekselencës.


Nga këto gjashtë objektiva, katër prej tyre janë plotësuar, ndërsa dy janë ende në proces.


Duke u ndërlidhur me trajnimet e suksesshme të kadetëve të FSK-së, si ato individuale dhe kolektive, brenda dhe jashtë vendit, gjatë vitit 2015, Rama ceku suksesin e lartë të kadetit Ismajl Hoxha, të cilin e cilësoi si krenari të shtetit të Kosovës.


Realizimi i projekteve humanitare dhe mbështetja e autoriteteve civile, komuniteteve dhe OJQ-ve, ka qenë njëra prej prioriteteve të tjera të FSK-së, që është realizuar plotësisht, me aktivitete të ndryshme.


Si arritje të rëndesishme, ai e konsideroi edhe konferencen e parë të mbajtur nga FSK-ja me partnerët e saj, si dhe vazhdimin e bashkëpunimit me Ajovën dhe NLAT.


Ndërkaq, Rama tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka nisur përgatitjet për shndërrim në Forca të Armatosura të Kosovës, dhe krejt çfarë po pritet tash, sipas tij, është vendimi politik për këtë çështje.


Në fund të raportimit, Rama ceku edhe disa nga objektivat për vitin 2016, si dhe ftesat që i janë bërë FSK-së për disa nga ushtrimet më të rëndësishme ushtarake.


Takimi vazhdoi me pyetje anëtarëve të komisionit drejtuar komandantit të FSK-së, Rama, të cilat kryesisht lidheshin me zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së dhe me rekrutimin e pjesëtarëve të rinj, në veçanti të atyre nga komunitetet pakicë etj.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme