Lajmet e fundit
Nga takimi i znj. Sahatqija me shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger
E Marte, 08.03.2016
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Teuta Sahatqija, u takua sot me shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger.
Sahatqija, në fillim të takimit, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me OSBE-në, duke shtruar nevojën që ky bashkëpunim të zgjasë edhe më tej, sidomos në fushën e integrimit evropian të Kosovës. Ajo prezantoi disa nga pikat kryesore të planit të punës së Komisionit për Integrime Evropiane, si dhe e njoftoi z. Schlumberger për Planin Kombëtar për zbatimin e MSA-së.
Schlumberger, nga ana e tij, mirëpriti ftesën për vazhdimin e bashkëpunimit dhe njëkohësisht, tregoi gatishmërinë nga ana e OSBE-së për mbështetje të mëtutjeshme, duke theksuar se ndër pikat që janë të fokusuar në vitin 2016 janë ato të të drejtave të barabarta gjinore dhe atyre të komuniteteve pakicë.
Pas një diskutimi më të gjerë rreth situatës politike dhe të gjendjes së komuniteteve në Kosovë, Schlumberger dhe Sahatqija erdhën në përfundim që bashkëpunimin për këtë vit ta hapin me mbështetjen nga OSBE-ja për krijimin e Rrjetit ballkanik të deputetëve romë, ide kjo e hedhur nga deputeti Kujtim Paçaku, në takimet të ndryshme që Komisioni ka pasur me përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë.