Lajmet e fundit
Kryetarja e Komisionit për Drejtat e Njeriut, Lirije Kajtazi, takoi Avokatin e Popullit të Shqipërisë, Igli Totozani
E Hënë, 07.03.2016
Kryetarja e Komisionit për Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, Lirije Kajtazi, takoi sot Avokatin e Popullit të Shqipërisë, z. Igli Totozani.
Kryetarja Kajtazi, e cila shoqërohej nga deputetët: Kujtim Paqaku e Megjide Mjaku-Topalli, anëtarë të po këtij komisioni, pasi foli për aktivitetet nga fushëveprimtaria e komisionit, u angazhua për një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Institucionit të Avokatit të Popullit të Shqipërisë dhe Komisionit që ajo drejton.
Më pas, ajo e njoftoi mysafirin për bashkëpunimin e komisionit dhe Avokatit të Popullit të Kosovës, ndërkaq, u shpreh e bindur se edhe në të ardhmen do të zhvillojnë aktivitete të përbashkëta, në të mirë të qytetarëve të vendit. Po ashtu, Kajtazi e njoftoi mysafirin edhe për pakon e ligjeve të miratuara nga fusha e të drejtave të njeriut.
Avokati i Popullit të Shqipërisë, Totozani, u shpreh mirënjohës për mikpritjen që iu bë, ndërkaq, u angazhua për një bashkëpunim edhe më të ngushtë ndërmjet institucionit që ai drejton dhe Komisionit, si dhe Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës.
Ai më pas njoftoi edhe për një marrëveshje të nënshkruar bashkëpunimi ndërmjet Avokatit të Popullit të Shqipërisë dhe Avokatit të Popullit të Kosovës, të cilën e përshëndeti edhe Avokati i Popullit të Kosovës, Hilmi Jashari, i cili me këtë rast shoqëronte Avokatin Totozani.