Lajmet e fundit
Grupi i Grave Deputete nderoi me mirënjohje xhudisten Majlinda Kelmendi dhe Klubin e Xhudos Ipon
E Premte, 04.03.2016
Një delegacion i Grupit të Grave Deputete, në përbërje: Blerta Deliu Kodra, kryetare, Lirie Kajtazi, Mexhite Mjaku-Topalli, Njomza Emini e Labinotë Demi Murtezi, anëtare, vizitoi sot Klubin e Xhudos "Ipon" në Pejë.
Delegacionin e GGD-së e pritën në sallën e Xhudos, kampionia botërore në xhudo, Majlinda Kelmendi, trajneri i klubit, Driton Kuka , xhudistet Nora Gjakova, Distria Krasniqi, si dhe xhudiste të tjera të këtij klubi.
Kryetarja e GGD-së, Blerta Deliu, duke përgëzuar xhudisten Kelmendi për suksesin e arritur dhe medaljet e shumta të arta që ajo i ka sjell vendit, theksoi se sukseset e saj i bëjnë nder Kosovës dhe gjithë popullit tonë. Kryetarja Deliu përgëzoi, po ashtu, edhe trajnerin Driton Kuka, për punën e mrekullueshme që po e bën me këto vajza e djem, duke konsideruar se secili prej tyre është pretendent për medalje në gara ndërkombëtare.
Xhudisten Kelmendi dhe anëtarët e Klubit i përgëzuan edhe deputetet Lirie Kajtazi, Labinot Demi-Murtezi, Mexhide Mjaku Topalli e Njomza Emini.
Trajneri i xhudos, z. Kuka, foli për punën e palodhshme që bëjnë këta të rinj dhe nevojën që puna e tyre dhe sporti në përgjithësi, të kenë më tepër përkrahje, sidomos nga pushteti lokal.
Kryetarja e GGD-së, Blerta Deliu-Kodra, i dorëzoi mirënjohjen e ndarë nga GGD-ja xhudistes Majlinda Kelmend, si dhe mirënjohjen e ndarë për Klubin e Xhudos, me anë të së cilave, siç tha Deliu-Kodra, Grupi i Grave Deputete shpreh vlerësimin të madh për ta.