Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Premte, 04.03.2016




Të enjten, më 10 mars, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë mbledhjen plenare të radhës, në të cilën do të shqyrtohen disa projektligje, raporte e propozime.
Ky ishte vendimi i sotëm i Kryesisë së Kuvendit, nga mbledhja e saj e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, e kryesuar nga kryetari Kadri Veseli.
Në seancën e të enjtes, pas pikave të zakonshme të rendit të ditës: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, Kuvendi do të formojë organin përzgjedhës të pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve në Organin Shqyrtues të Prokurimit, ndërsa më pas, do të shqyrtojë për herë të parë shtatë projektligje: Projektligjin për gazin natyror, Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë, Projektligjin për energjinë elektrike, Projektligjin për energjinë, Projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme në Kosovë, Projektligjin për falimentimin, si dhe Projektligjin për rregullat e komunikacionit rrugor.
Për herë të dytë, ndërkaq, deputetët pritet të shqyrtojnë Projektligjin për siguri në punë në veprimtarinë minerare, si dhe atë për mjekësinë ligjore.
Kuvendi do të vijojë punimet me shqyrtimin e rekomandimit të Komisionit për Integrime Evropiane lidhur me Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe shqyrtimin e raportit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për standardizimin. Më pas, pritet të formohet Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës dhe ai për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media. Në fund, do të votohet propozimi i Grupit Parlamentar të PDK-së, për emërimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. Kështu, në bazë të kërkesës së Parlamentit Evropian, Kryesia formoi Komisionin 13 anëtarësh për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, në përbërje të të cilit do të jenë përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare.
Ndërkaq, në vigjilje të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetari Veseli e njoftoi Kryesinë e Kuvendit se ditë më parë, një delegacion i Kuvendit ka zhvilluar një takim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, lidhur me jetësimin e vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, për vendosjen e shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari në sheshin "Adem Jashari" në Prishtinë.