Lajmet e fundit

Kryetari Veseli mori pjesë në ceremoninë e lansimit të Paktit për Rininë

E Premte, 04.03.2016




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë në ceremoninë e lansimit të Paktit Evropian për Rininë në Kosovë, një angazhim ky i përbashkët i biznesit dhe liderëve të Bashkimit Evropian, i cili bashkon përfaqësuesit e biznesit, arsimit, rinisë dhe institucioneve evropiane.
Në fjalën e tij të rastit, kryeparlamentari Veseli tha se qëllimi i institucioneve në Kosovë është që të bashkërendojnë të gjitha politikat dhe veprimet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Përkundër sukseseve në këtë periudhë tranzicioni, shtoi kryetari Veseli, nuk patëm shpërthim të zhvillimit ekonomik duke vënë theksin te shpirti i ndërmarrësisë dhe inovacionit.
"Një gjë është e qartë, vetëm sektori privat gjeneron rritje të qëndrueshme ekonomike. Vetëm shpirti i ndërmarrësisë dhe inovacionit sjellin shpresa zhvillimi. Në kontekstin tonë, shpirti inovativ dhe ndërmarrësia e vogël janë dhe duhet të jenë vendi ku krijohen pjesa dërmuese e vendeve të punës. Nuk mund të kemi shoqëri të zhvilluar dhe stabile, nëse nuk kemi një ekonomi private të qëndrueshme dhe të fortë. Në histori mund të ketë zhvillim ekonomik pa demokraci, por nuk ka demokraci pa zhvillim ekonomik. Prandaj, nuk ka zgjidhje tjetër përveç ekonomisë së bazuar në sektorin privat, i cili përveç rritjes ekonomike, në të njëjtën kohë dëshmon edhe përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe vendit ku jetojmë", theksoi kryetari i Kuvendit.
Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari Veseli theksoi se përgjegjësia korporative është një model i zhvillimit të qëndrueshëm, në kuadër të të cilit Pakti për Rininë, i cili do të nënshkruhet nga korporatat më të mëdha në Kosovë, është iniciativa të cilën shoqëria kosovare duhet ta kthejë në prioritet.
Rinia, shtoi kryetari Veseli, mund të shfrytëzohet si mjet për destabilizim, apo mund të shndërrohet në burim të zhvillimit.
"Ne e kemi obligim ta bëjmë rininë tonë burim shtytës të zhvillimit. Unë zotohem se do t'ju mbështes dhe do të jem gjithmonë përkrah jush, për cilëndo iniciativë që ju mendoni se duhet ndërmarrë në këtë drejtim. Kuvendi i Republikës së Kosovës është i gatshëm që të ofrojë të gjithë bazën ligjore, e cila stimulon investimet dhe iniciativat zhvillimore. Në këtë drejtim, iniciativa e parë që mund të ndërmarrim në drejtim të Paktit për Rininë, është të rregullojmë së bashku çështjen e praktikës", tha kryeparlamentari Veseli.
Ai shtoi se duke investuar në rininë, garantohet e ardhme e sigurt e vendit tonë.
"Duke investuar në rininë, ne aftësojmë popullatën tonë të re që të bëhet pjesë e trendeve të globalizimit, tregut ndërkombëtar të punës dhe kjo sjell zhvillim të sigurt. Duke investuar në rininë, ne e bëjmë shumë më të shkurtër rrugën tonë të integrimit evropian, qëllimin tonë më të madh pas çlirimit dhe pavarësisë", tha kryetari Veseli.