Lajmet e fundit
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...
E Enjte, 03.03.2016
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Lirije Kajtazi, kryetare e komisionit, diskutoi lidhur me zbatimin e rekomandimeve të dala nga Raporti i Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2014.
Në mbledhje ishte i pranishëm edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i cili foli për raportet e hartuara nga ky institucion, lidhur me shkeljen e të drejtave individuale të njeriut, si dhe rekomandimet për të vënë në vend drejtësinë ndaj individëve.
Ai me këtë rast vuri në dukje se zbatimi i rekomandimeve të tyre ka shënuar rritje në të gjitha institucionet publike të vendit dhe se ky trend është duke vazhduar edhe gjatë mujave të parë në këtë vit.
Ndër sfidat e këtij institucioni, Jashari vuri në pah shkeljen e të drejtave individuale në sektorin privat dhe lidhur me këtë kërkoi angazhimin e të gjithëve. Po ashtu, ai foli edhe për numrin e madh (117 mijë) të lëndëve të pa trajtuara në gjykatat kompetente, e që i përkasin kryesisht natyrës së veprave për kundërvajtje.
Ai u angazhua edhe për ndryshimin e disa ligjeve, për të cilat vlerësoi se për mes tyre mohohet e drejta e individit. Lidhur me këtë, ai përmendi Ligjin për shpronësime, si dhe Ligjin për veteranët e luftës së UÇK-së.
Në vijim, Avokati i Popullit, Jashari, foli edhe për angazhimin e tyre për realizimin e të drejtës së pensionistëve kosovarë nga shteti serb.
Bazuar në disa vendime parimore nga Gjykata Evropiane e Strasburgut, tha Jashari, edhe ne me të drejtë mund të presim epilog pozitiv për realizimin e së drejtës së 60 mijë qytetarëve kosovarë nga Serbia. Lidhur me këtë, ai po ashtu njoftoi se kjo çështje do të ngritet edhe në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës.
Anëtarët e komisionit, ndërkaq, falënderuan Avokatin e Popullit, Jashari, dhe i premtuan atij mbështetje për zbatimin e rekomandimeve.
Në këtë mbledhje, komisioni ka diskutuar edhe për Projektligjin për të drejtat dhe statusin e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, për të cilin do të organizojë edhe një dëgjim publik.