Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Marte, 01.03.2016
Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Teuta Sahatqija, kryetare, shqyrtoi një varg projektligjesh, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, si dhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e tij.
Komisioni, fillimisht shqyrtoi dhe miratoi Planin e vet të punës për vitin 2016, si dhe Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Komisioni vazhdoi punën me shqyrtimin e projektligjeve. Pasi konstatoi se nuk bien në kundërshtim me legjislacionin e Bashkimit Evropian, Komisioni përkrahu gjashtë projektligje, me amendamente të komisioneve funksionale: Projektligjin për Mjekësinë Ligjore, Projektligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, Projektligjin për patentë shofer, Projektligjin për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, si dhe Projektligjin për siguri në punë në veprimtarinë minerare.