Lajmet e fundit

Mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit

E Premte, 26.02.2016




Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në një mbledhje të jashtëzakonshme, e cila u mbajt sot nën kryesimin e kryeparlamentarit, Kadri Veseli, proceduan me zgjedhjen e Presidentit të vendit.

Për të përcjellur nga afër zhvillimet e kësaj mbledhjeje, në sallë ishin të pranishëm edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, si dhe shumë ambasadorë të tjerë të shteteve mike.

Në fillim të mbledhjes, kryetari i Kuvendit, Veseli, i njoftoi deputetët se sipas nenit 86 të Kushtetutës së Kosovës, si dhe nenit 27 të Rregullores së Punës së Kuvendit, mund të procedohet me rendin e ditës.

Ai në vijim njoftoi se janë mbledhur nënshkrimet e nevojshme nga deputetët për të nominuarit: Hashim Thaçi dhe Rafet Rama.
Propozimet dhe arsyetimet për të nominuarit, ndërkaq, i paraqitën: Adem Grabovci, kryetar i Grupit Parlamentarë të PDK-së, për kandidatin, Hashim Thaçi dhe deputetja, Ganimete Musliu, për kandidatin tjetër, Rafet Rama.

Më pas, kryetari i Kuvendit propozoi që vlerësimin për plotësimin e kritereve të kandidatëve, ta bëjë Komisioni për Llegjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikqyrjen e Agjencionit Kundër Korrupsionit.

Pas verifikimit të kushtetve të kandidatëve, komisioni konstatoi se të nominuarit i plotësojnë kushtet për të garuar për postin e presidentit.

U vijua më pas me procedimin e mëtejmë sikurse është përcaktuar me Kushtetutën e vendit dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Më pas, fjalën e mori përfaqësuesi i Vetëvendosjes (VV), Visar Ymeri.

Duke bërë thirrje që të mos votohet kandidati Hashim Thaçi, për president të vendit, ai ndër të tjera ngriti një varg akuzash në drejtim të tij.

Ai tha se kandidati Thaçi, është fajtori kryesor për marrëveshjet, sipas tij, të dëmshme, me Serbinë dhe Malin e Zi, ndërkaq, e fajësoi atë edhe për gjëra të tjera e që kishin të bënin me gjendjen e krijuar në vend.

Qëndrim të ngjashëm shfaqën edhe Donika Kadaj- Bujupi, në emër të AAK-së , si dhe Zafir Berisha, në emër të NISMA-s, ndërkaq, nuk u deklaruan përfaqësuesit e grupeve të tjera parlamentare.

Folën më pas edhe deputetët: Melihate Tërmkolli, Daut Haradinaj, Ismail Kurteshi, Fatmir Limaj, Time Kadrijaj, Rexhep Selimi, Enver Hoti, Teuta Haxhiu, Albin Kurti dhe Pal Lekaj. Fjalën e morën edhe deputetët nga radhet e PDK-së Adem Grabovci dhe Ganimete Musliu, të cilët hodhën poshtë pohimet e diskutuesve lidhur me figurën e të nominuarit për president, Thaçi.

Pas përfundimit të diskutimeve, opozita edhe me këtë rast hodhi gazin lotsjellës, duk e bërë të pamundur vazhdimin e mbledhjes.

Kryesuesi me këtë rast deklaroi pauzë, deri në krijimin e kushteve për të filluar mbledhja.

Pas pauzës, kryeparlamentari Veseli njoftoi se me një vendim të Kryesisë së Kuvendit, nga kjo mbledhje janë suspenduar disa nga deputetët e opozitës. Mirëpo pjesa tjetër e deputetëve opozitar në sallë, përsëri hodhën gazin lotësjellës, andaj, Kuvendni prapë ndërpreu punimet.

Në këtë situatë, kreu i Kuvendit, Veseli, përsëri caktoi një mbledhje të Kryesisë.

Pas pak rinisi mbledhja, gjatë së cilës u formua Komisioni Votues, në këtë përbërje: Selvie Halimi (PDK), Njomza Emini (LDK), Sasha Milosavleviq (Lista Serbe), Danush Ademi (6+) dhe Ilir Deda (LVV).

Pas kësaj, filloi votimi i fshehtë.

Pas votimit, komisioni bëri të ditur se i nominuari për President, z. Hashim Thaçi, në raundin e parë të votimit mori 50 vota, ndërkaq, kandidati tjetër, Rama, 4 vota. Të pavlefshme, ndërkaq, komisioni konstatoi 27 vota.

Bazuar në këtë rezultat, deputetët vijuan me raundin e dytë të votimit, pasi që asnjëri nga kandidatët, nuk siguroi votat e mjaftueshme për tu zgjedhur.

Pas shpalljes së rezultateve nga ky raund i votimit, përfaqësuesi opozitës në Komisionin Votues, Ilir Dedaj, bëri të ditur se e braktisë komisionin.

Pas votimi të dytë, ndërkaq, komisioni komunikoi këtë rezultat: Hashim Thaçi siguroi 64 vota, ndërsa Rafet Rama 2, vota të pavlefshme nga ky raund i votimit ishin 15.

Për zgjedhjen e Presidentit të vendit, u desh që të zhvillohet edhe raundi i tretë i votimit.

Në këtë raund të votimit, Komisionit Zgjedhor iu bashkua përfaqësuesi nga radhët e LVV-së, Ilir Deda, i cili me propozim të deputetit, Fisnik Ismajli dhe me miratim nga ana e deputetëve, përsëri iu kthye punës në këtë komision.

Pas përfundimit të numrit të votave nga ky raund i votimit, Komisioni konstatoi se i nominuari për President të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, ka marrë 71 vota të deputetëve, të mjaftueshme për të ushtruar këtë funksion me mandat prej 5 vjetëve. Vota të pavlefshme në këtë raund të votimit ishin 10.

I posa zgjedhuri President i Republikës së Kosovës, Thaçi, menjëherë pas kësaj iu drejtua deputetëve, i cili në mes tjerash nënvizoi: " Respektoj me përulje besimin tuaj, i cili më obligon të punojë në shërbim të vendit, duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës".

Presidenti Thaçi, falënderoi edhe ambasadorët e akredituar në Kosovë, të cilët përcollën nga afër punimet e kësaj mbledhjeje.

Po ashtu, ai përmendi edhe heroin e kombit, Adem Jashari, si dhe kontributin e ish presidentit, Rugova, për të cilët vlerësoi rolin kyç të tyre për lirinë e vendit.

Në fund u bë e ditur se presidenti i posa zgjedhur, Hashim Thaçi, para deputetëve do të japë betimin më 7 prill 2016.

 

 

 

Mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit