Lajmet e fundit

Kryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në Akademinë solemne me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit

E Premte, 26.02.2016




Sot, në shënim të 80-vjetorit të lindjes së veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, nën patronatin e Kuvendit të Kosovës dhe të Shoqatës së të Burgosurve Politikës, është mbajtur Akademi solemne.


Në fjalën e tij të rastit, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i bëri një përshkrim figurës së Adem Demaçit, duke e konsideruar atë njeri të veçantë, të jashtëzakonshëm dhe të papërsëritshëm.


Kryetari Veseli tha se të rralla janë rastet që jetëshkrimi i një personaliteti është njëkohësisht jetëshkrimi i një epoke. Në të tilla raste, shtoi ai, epoka merr emrin e atij personaliteti. E tillë është epoka në të cilën jetoi dhe veproi Adem Demaçi. Ajo është Epoka e Adem Demaçit.


Kreu i Kuvendit tha se Demaçi mbahej burgjeve sepse kërkonte dhe vepronte për lirinë e popullit të tij, për të drejtat e tij kombëtare, për barazinë politike dhe ekonomike me popujt tjerë, kërkonte të drejtën e popullit për të përcaktuar vetë për fatin e tij.


Edhe pse e mbanin burgjeve Adem Demaçin, në burgun më famëkeq në Goli Otok, tha në vazhdim kryetari Veseli, atë nuk e thyenin dot, nuk përulnin, nuk e frikësonin dot e as nuk e blinin dot, sepse e drejta e një populli për të qenë i lirë, nuk mund të zëvendësohet me asnjë të drejtë tjetër dhe Adem Demaçi besonte, jetonte e vepronte për këtë ideal.


Veseli shtoi se në rrugëtimin e gjatë të Kosovës për liri, Adem Demaçi ishte bërë ndërgjegjja kombëtare.


"I tillë është edhe sot e do të mbes përgjithmonë. Adem Demaçi, ashtu si Nënë Tereza, janë lidhja e shpirtit të populli tonë me vlerat universale të njerëzimit, lirinë e mendimit, paqen, solidaritetin dhe dashurinë mes njerëzve", theksoi kryeparlamentari Veseli.


Z. Veseli bëri të ditur se një park në qytetin e Mitrovicës e ka marrë emrin e Adem Demaçit, ndërsa së shpejti në hyrje të Prishtinës do të vendoset edhe shtatorja e tij.


"Baca Adem, ne jemi brez i privilegjuar që jetuam epokën tënde. Kosova është krenare që të ka Ty - simbol unik të luftës për liri. Urime ditëlindja! Të paçim Baca Adem!", tha në përfundim të fjalës së tij, kryeparlamentari Veseli.

 

 

Kryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në Akademinë solemne me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Adem DemaçitKryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në Akademinë solemne me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Adem DemaçitKryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në Akademinë solemne me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Adem DemaçitKryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në Akademinë solemne me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit