Lajmet e fundit
Deputeti boshnjak, Mehmedoviq, pritet në Komisionin për Punë të Jashtme
E Enjte, 25.02.2016
Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme, kanë pritur sot në një takim të veçantë kryetarin e Komisionit për Tregti të Jashtme dhe Doganë të Asamblesë Parlamentare të Bosnje e Hercegovinës, z Shemsudin Mehmedoviq, i cili vjen për vizitë zyrtare në Kosovë me ftesë të këtij komisioni.
Nënkryetarja e Komisionit, Teuta Rugova, e cila e ka drejtuar takimin, duke i uruar mirëseardhje në Kosovë deputetit boshnjak , Mehmedoviq, është shprehur optimiste se pas këtij takimi të parë ndërmjet institucioneve të dy vendeve, do të hapen mundësi të reja të bashkëpunimit të ndërsjellë.
Nënkryetari nga radhët e komuniteteve pakicë, Qerim Bajrami, ndërkaq duke e vlerësuar të guximshme dhe tepër të rëndësishme vizitën e z, Mehmedoviq, në vendin tonë, ka spikatur lidhet e fuqishme historike ndërmjet popullit boshnjak dhe popullit të Kosovës, prandaj edhe nevojën për raporte sa më të mira ndërmjet dy vendeve. Ai me këtë rast ka theksuar nevojat në rritje arsimore dhe kulturore të boshnjakëve të Kosovës, të cilat ka thënë se mund të mbështeten nga Republika e Bosnje e Hercegovinës, ndërkaq ka kërkuar që sa më parë të krijohen lehtësi për lëvizjen e qytetarëve të të dy vendeve. Ai ka vënë në pah vështirësitë e qytetarëve për të siguruar viza, për vizita të ndërsjella në vendet respektive, e duke ironizuar se shqiptarët dhe boshnjakët e Kosovës, por edhe të BH-së, mund të lëvizin me letërnjoftime në territorin e Serbisë.
Kryetari i Komisionit për Tregti të Jashtme dhe Doganë të Asamblesë Parlamentare të Bosnje e Hercegovinës, Shemsudin Mehmedoviq, duke shprehur kënaqësinë për këtë vizitë të parë të tij në Prishtinë, ka shfaqur keqardhjen për faktin që vendi i tij ende nuk e ka njohur Kosovën. Për këtë ka vënë në pah ndërlikueshmërinë e marrjes së vendimeve në nivel federal (e drejta e vetos njërit nga treshja presidenciale e BH-së). Ai, ndërkaq, duke folur për lidhjet e gjata historike dhe miqësore ndërmjet sy popujve, është zotuar se do të bëjë të pamundurën që të lehtësohet lëvizja e qytetarëve (vetëm me letërnjoftime), duke u angazhuar edhe për bashkëpunim ekonomik , kulturor dhe shkencor ndërmjet Kosovës dhe BH-së.
Për bashkëpunim sa më të mirë ndërmjet dy vendeve janë angazhuar edhe anëtarët e Komisionit Blerta Deliu Kodra dhe Elmi Reçica, të cilët kanë vënë në pah interesin e ndërsjellë të dyja vendeve dhe synimet e qarta për tu anëtarësuar në BE dhe NATO. Deputetët nikoqirë, ndërkaq, janë pajtuar e z. Mehmedoviq për rëndësinë e pamohueshme të diplomacisë parlamentare për të vënë kontakte të mira dhe ndërmarrë nisma për normalizim të marrëdhënie ndërmjet dy vendeve, qoftë edhe duke bërë hapa të vegjël.