Lajmet e fundit
Nënkryetari i Kuvendit, Fikrim Damka dhe deputetët Lirije Kajtazi e Duda Balje, pritën deputetin boshnjak, Semsudin Mehmedoviq
E Enjte, 25.02.2016
Nënkryetari i Kuvendit, Fikrim Damka, deputetja Lirije Kajtazi, njëhërësh kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione dhe Duda Balje, kryetare e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, pritën sot kryetarin e Komisionit për Tregti të Jashtme dhe Doganë i Asamblesë Parlamentare të Bosnje e Hercegovinës, z. Semsudin Mehmedoviq.
Nënkryetari i Kuvendit, Damka, fillimisht i uroi mirëseardhje dhe e falënderoi për vizitën mysafirin nga Bosnja. Ai vlerësoi se vizita e tij paralajmëron një nismë të mbarë në avancimin e raporteve ndërmjet dy popujve.
Deputetja nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje, ndërkaq, e njoftoi atë për pozitën e këtij komunitetit në vendin tonë. Lidhur me këtë, Balje tha se ky komunitet është i përfaqësuar në të gjitha nivelet e pushtetit dhe u shpreh e bindur se mundësit prosperuese për ta do të jenë edhe më të mëdha në të ardhmen.
Për nevojën e një bashkëpunimi ndërmjet të dyja vendeve, u shpreh edhe deputetja, Lirije Kajtazi. Ajo kërkoi nga z. Mehmedoviq, që Asambleja Parlamentare e Bosnjë Hercegovinës, të mbështes Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.
Përfaqaësuesi i Parlamentit boshnjak, Semsudin Mehmedoviq, vlerësoi se komuniteti boshnjak në Kosovë duhet të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet dy popujve. Ai po ashtu u angazhua që komunikimi ndërmjet dy popujve të jetë më i shpeshtë, ndërkaq, paralajmëroi një iniciativë që do ta marrë në Asamblenë Parlamentare të Bosnje e Hercegovinës, për realizimin e lëvizjes së qytetarëve ndërmjet të dyja vendeve, vetëm me letërnjoftime.