Lajmet e fundit
Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit
E Mërkure, 24.02.2016
Mbledhja e Kuvendit të Kosovës, e nisur më 19 shkurt, ka vazhduar sot nën kryesimin e kryeparlamentarit, Kadri Veseli.
Fillimisht është proceduar me ratifikimin e disa marrëveshjeve financiare, në formë kredish, e që në mungesë kuorumi nuk janë proceduar në mbledhjen paraprake.
Marrëveshjet e miratuara në këtë mbledhje janë: Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për hua ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për projektin e rehabilitimit të rrugës hekurudhore 10, Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për hua ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunim financiar 2014 për projektin e huas, dhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për zhvillim për realizimin e Projektit për përmirësimin e sistemit të arsimit.
Nuk është miratuar, ndërkaq, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë Kosovë-Unicredit Bank Austria AG për financimin e Projektit të modernizimit të shërbimeve të kardiologjisë invazive në QKUK. Ky projektligj u kundërshtua nga deputetët Bekim Haxhiu dhe Shaip Muja.
Në favor të këtij projektligji u deklaruan 76 ndërkaq, abstenuan 6 deputetë.
Në vijim të mbledhjes, me 80 vota për dhe një abstenim, është miratuar edhe Propozim-Amendamenti nr. 25 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i ri-proceduar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Më pas, deputetët miratuan edhe dy raporte të komisioneve: Raportin e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Policinë, si dhe Raportin e Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspekcionin Bujqësor. Është shtyrë, ndërkaq, shqyrtimi i Raportit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për standardizimin.
Në punimet e kësaj seance, nuk ishte i pranishëm asnjë deputet nga radhët e opozitës.