Lajmet e fundit
Sahatqija takoi shefen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Isabelle Servoz Gallucci
E Marte, 23.02.2016
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Teuta Sahatqija, shoqëruar nga Kujtim Paçaku, anëtar i komisionit, priti sot në takim Shefen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Isabelle Servoz Gallucci.
Kryetarja Sahatqija e njohu znj. Galluci me punën e Kuvendit të Kosovës dhe të komisioneve parlamentare në veçanti, duke u fokusuar, me këtë rast, në angazhimet e komisionit që ajo udhëheq. Sahatqija shprehu përkushtimin e Kuvendit dhe të institucioneve të Kosovës në përgjithësi, për të përmbushur detyrimet që u ngarkohen atyre në plotësimin e kritereve që kërkon procesi i integrimit evropian. Ajo shtroi nevojën e anëtarësimit sa më të shpejtë të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ndërsa Kujtim Paçaku e njoftoi znj. Galluci për gjendjen e komuniteteve pakicë në Kosovë, përkatësisht të komunitetit rom, me sfidat dhe problemet me të cilat përballen anëtarët e këtij komuniteti. Paçaku shtroi idenë e krijimit të një rrjeti ballkanik të deputetëve romë, me mundësi të shtrirjes në tërë Evropën.
Isabelle Servoz Galluci, nga ana e saj, theksoi se është në dijeni me situatën e komuniteteve në përgjithësi dhe se institucioni që ajo përfaqëson, ka mekanizma të cilët merren me komunitetin rom në veçanti. Ajo potencoi një nga projektet në pritje, që në fokus ka edukimin e lartë të komuniteteve.
Znj. Galluci theksoi përshtypjet pozitive të Këshillit të Evropës për Kosovën dhe inkurajoi që të vazhdohet me punë mbi këto themele.