Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion...
E Marte, 23.02.2016
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i drejtuar nga Selvije Halimi, zëvendëskryetare, u mblodh sot për shqyrtimin e Projektligjit për procedurën e përgjithshme administrative, Projektligjin për siguri në punë në veprimtarinë minerare, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë.
Pas shqyrtimit, Komisioni miratoi dhe rekomandoi procedimin e mëtejmë të Projektligjit për siguri në punë në veprimtarinë minerare dhe atij për ndryshimin dhe plotësimin e Projektligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë.
Ndërkaq, rekomandoi mos miratimin e Projektligjit për procedurën e përgjithshme administrative, duke e vlerësuar se ka lëshime të natyrës përmbajtësore dhe teknike, që e bëjnë ligjin të pazbatueshëm në praktikë.
Sa i përket Projektligjit për administrimin e pasurisë së sekuestruar apo konfiskuar dhe Projektligjit për mjekësinë ligjore, komisioni vendosi t'i procedojë për shqyrtim dhe miratim në Kuvend, pa raportin e Komisionit për Integrime Evropiane, pasi sipas tij, ka kaluar afati i rregullt i paraparë me Rregullore të Kuvendit.