Lajmet e fundit

Komisioni për Zhvillim Ekonomik...

E Marte, 23.02.2016




Një mori projektligjesh janë shqyrtuar sot në parim në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, të kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar i komisionit.

Fillimisht është shqyrtuar Projektligji për rregullat e komunikacionit rrugor, të cilin para komisionit e paraqiti zv. ministri i Mistrisë së Infrastrukturës, Hanefi Muharremi.

Ai foli për fushën që do të rregullojë ky ligj, ndërkaq, ndër të tjera sqaroi se me të do të ngritet edhe niveli i sigurisë në komunikacion. Po ashtu, ai tha se dispozitat e këtij ligji janë harmoni me ato e BE-së që rregullojnë këtë fushë.

Pas diskutimeve lidhur me këtë projektligj, komisioni e përkrahu në parim atë dhe vendosi për trajtim të mëtejmë të tij.

Më pas komisioni shqyrtoi edhe dy projektligje të tjera: Projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtritshme në Kosovë dhe Projektligjin për falimentimin.

Këto projektligje i prezantoi ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami. Me këtë rast, debati u përqendrua rreth Projektligjit për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtritshme në Kosovë, për të cilin ministrja foli në hollësi, duke sqaruar fillimisht gjendjen në të cilën aktualisht është ky sektor. Për sa i përket projektligjit, ndërkaq, ministrja Bajrami tha se nëpërmjet tij synohet të garantohet një treg lirë i naftës dhe produkteve të tij, cilësi e lartë dhe çmim i përballueshëm për qytetarët. Ajo foli edhe për sigurimin e rezervave shtetërore të këtij produkti, ndërkaq, vuri në spikamë edhe përpjekjet e Ministrisë për një kontroll të përhershëm të naftës dhe derivateve të tij.

Anëtarët e komisionit, ndërkaq, duke shfaqur opinionet e tyre lidhur me këtë projektligj, paraqitën një varg vërejtjesh, për të cilat u shprehën se do të merren parasysh gjatë fazës së amendamentimit të projektligjit.

Pas diskutimit lidhur me këto projektligje, komisioni po ashtu i përkrahu në parim, njëherësh formoi edhe grupet punese për trajtimin e mëtejmë të tyre.

Në këtë mbledhje, komisioni shqyrtoi edhe Raportin me rekomandime të Projektligjit për siguri në punë në veprimtarinë minerare.

Këtë raport, e paraqiti deputetja, Sala Berisha- Shala.

Raporti me rekomandime u miratua nga Komisioni dhe ky projektligj u procedua për lexim të dytë në Kuvend.

 

Komisioni për Zhvillim Ekonomik...