Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kuvendit
E Premte, 19.02.2016
Kuvendi i Kosovës, kryesuar nga kryeparlamentari, Kadri Veseli, ka nisur sot mbledhjen e parë të sesionit pranveror.
Në fillim të mbledhjes iu dha fjala deputetit, Visar Ymeri, njëherësh lideri i VV-së, i cili mbajti një fjalim, përmes të cilit ngriti një varg akuzash drejtuar Qeverisë. Duke shpalosur paknaqësitë e opozitës, ai ndër të tjera vuri në spikamë peticionin kundër Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë, i cili kundërshtohet edhe nëpërmjet protestave të qytetarëve. Po ashtu ai kujtoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me të. Më pas kërkoi dorëheqjen e Qeverisë, duke paralajmëruar kundërshtime edhe në të ardhmen.
Pas kësaj, kryetari i Kuvendit, Veseli, lexoi një Rezolutë lidhur me vendimin e një gjykate serbe, e cila ka dënuar dy deputetë të Kuvendit të Kosovës, (Anton Çuni dhe Rrustem Berisha) , ish pjesëtarë të UÇK-së.
Veseli sqaroi se vendimi i gjykatës serbe, ndonëse nuk prodhon efekte juridike, ajo ndikon në raporte ndërmjet dy shteteve, andaj vlerësoi se rezoluta e propozuar, duhet miratuar nga Kuvendi.
Edhe pse, gjatë leximit të kësaj deklarate, opozita hodhi gaz lotsjellës me qëllim të pengimit të mbledhjes, deputetët nën presionin e efekteve të gazit, me 79 vota për, e votuan rezolutën, të propozuar nga Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit.
Veseli me këtë rast vlerësoi se rezoluta është dashur të votohet edhe nga grupet opozitare, ndërkaq, për shkak të gjendjes së krijuar kërkoi një pauzë të shkurtër.
Pas përfundimit të pauzës, deputetët sërish u kthyen në sallën e mbledhjeve, por, opozita edhe me këtë rast ndërmori veprime për të pamundësuar vijimin e mbledhjes, duke hedhur përsëri gaz lotësjellës.
Në këto rrethana, kryeparlamentari u detyrua që përsëri të kërkoi pauzë, pas së cilës u procedua me shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-237 dhe me Ligjin nr.05/L-068.
Opozita, ndërkaq, përsëri hodhi gaz lotësjellës, gjë që solli suspendimin e shumicës së deputetëve opozitarë nga seanca.
Mbledhja vijoi më pas, ndërkaq, fjala iu dha të vetmit deputet në sallë nga radhet e opozitës, Ilir Deda.
Ai me këtë rast tërhoqi vërejtjen për dëmet që sjellë situata e krijuar politike, e cila sipas tij paraqet krizën dhe sfidën më të madhe në rrugën e shtetëformimit.
Më pas foli edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ndërkaq, në emër të PDK-së, Enver Hoxhaj.
Ata veprimet e opozitës i vlerësaun të dhunshme dhe u distancuan prej tyre, ndërkaq, bënë thirrje që situata e krijuar të tejkalohet nëpërmjet dialogut.
Në vazhdën e këtij dialogu folën edhe deputetët: Alma Lama dhe Çerim Bajrami.
U vijua më pas me rendin e ditës, përkatësisht me shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-237 dhe me Ligjin nr.05/L-068.
Këtë projektligj e paraqiti ministri i Ministrisë së Financave, Avdulla Hoti. Pas shqyrtimit, deputetët me shumicë votash e miratuan atë.
Më pas, me propozim të deputetit, Sabri Hamiti, disa nga pikat e rendit të ditës nuk u trajtuan në këtë mbledhje.
Në mungesë kuorumi prej 2/3 të deputetëve, nuk janë trajtuar edhe disa pika të tjera të rendit të ditës, ndërkaq, është vijuar me shqyrtimin dhe miratimin në parim të këtyre projektligjeve: Projektligji për regjistrimin dhe ofrimin e shërbimeve dhe masave për punësimin e të papunëve, punëkërkuesve dhe punëdhënësve, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuar, Projektligji për investimet strategjike në Republikën e Kosovës, Projektligji për Kundërvajtje dhe Projektligji për sponsorizime dhe donacione në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.
Po ashtu, Kuvendi në këtë mbledhje ka miratuar edhe Propozim-Rregulloren për procedurat e zgjedhjes dhe shkarkimit të Avokatit të Popullit dhe zëvendësve të Avokatit të Popullit, si dhe rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2016.
Është proceduar më pas me zgjedhjen e një anëtari në Këshillin Gjyqësor të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, si dhe zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
Pas përfundimit të votimit të fshehtë që u bë, rezultoi se Kuvendi me shumicë votash zgjodhi, Dragan Velkoviqin, anëtar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ndërkaq, anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, u zgjodhën: Naim Gashi dhe Fadil Miftari.
Në përfundim të kësaj mbledhjeje, kreu i Kuvendit, Veseli, njoftoi se pikat që nuk janë trajtuar sot, do të shqyrtohen në një mbledhje tjetër, e cila do të mbahet të mërkurën.
Pas përfundimit të kësaj mbledhjeje, Kuvendi në bazë të një vendimi paraprak për t'iu shmangur Rregullores së Punës, vijoi me një mbledhje të veçantë.
Në këtë mbledhje, Kuvendi shqyrtoi në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-237 dhe me Ligjin nr.05/L-068.
Duke pasur parasysh rëndësinë e miratimit të Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, i cili është një ndër kriteret e KE-së për liberalizimin e vizave, Kuvendi me shumicë votash e miratoi këtë projektligj, së bashku me amendamentet e propozuara nga komisioni.