Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Enjte, 18.02.2016
Shqyrtimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr.04/L-237 dhe nr.05/L-068, ishte temë kryesore e debatit, në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga kryetari i Komisionit, Naser Osmani.
Gjatë shqyrtimit të këtij projektligji ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Ministrisë së Financave (MF), Agim Krasniqi, kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), Safet Hoxha, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi.
Lidhur me këtë projektligj, fillimisht foli kryetari i komisionit, Osmani. Ai vlerësoi se miratimi i tij është i rëndësisë së veçantë, ndërkaq kujtoi se ky projektligj është pjesë e standardeve të kërkuara nga KE-ja për liberalizimin e vizave.
Më pas, vërejtjet dhe rekomandimet e tyre lidhur me disa nene i paraqitën zv. ministri i MF-së, Krasniqi dhe kryetari i KRPP-së, Hoxha. Ata kërkuan që rekomandimet e tyre të inkorporohen në projektligj gjatë shqyrtimit të mëtejmë të tij.
Pas kësaj, komisioni e përkrahu në parim këtë projektligj, i cili do të shqyrtohet nesër në mbledhje plenare të Kuvendit.
Më pas, komisioni përkrahu në parim edhe këto projektligje: Projektligjin për siguri në punë në veprimtari minerare, Projektligjin për patentëshofer dhe Projektligjin për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar.
Është shtyrë ndërkaq, miratimi i Planit vjetor të punës së komisionit për këtë vit.