Lajmet e fundit
Kryetari Veseli udhëtoi për vizitë zyrtare në Bruksel
E Marte, 16.02.2016
Sot, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, udhëtoi për vizitë zyrtare në Bruksel, gjatë të cilës do të realizojë një agjendë të pasur takimesh me zyrtarët më të lartë të Parlamentit Evropian (PE), të Komisionit Evropian dhe Parlamentit belg.
Kështu, të mërkurën, më 17 shkurt, kryetari Veseli do të fillojë agjendën e takimeve me kryetarin e Parlamentit Evropian, Martin Schultz, në Parlamentin Evropian, ndërsa më pas do të takohet me nënkryetaren e Parlamentit Evropian dhe raportuese për Kosovën, Ulrike Lunacek, si dhe me raportuesin tjetër për Kosovën, Lars Adaktusson.
Më pas, në Parlamentin e Belgjikës, kryeparlamentari Veseli do të takohet me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të këtij parlamenti, Siegfried Bracke.
Në takime të veçanta, kreu i Kuvendit të Kosovës do të pritet nga Komisionari Johannes Hahn, në Komisionin Evropian, dhe Giani Pittella, kryetar i grupit politik S&D.
Agjenda e takimeve dhe aktiviteteve të datës 17 shkurt, do të përmbyllet me pritjen që kryeparlamentari Veseli do të organizojë për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, në ambasadën e Kosovës në Bruksel.
Në ditën e dytë të vizitës, kryetari i Kuvendit të Kosovës do të takohet me udhëheqësin e Delegacionit për Kosovë dhe BeH në Parlamentin Evropian, Tonino Picula si dhe me grupin ndërparlamentar të Miqësisë së PE me Kosovën.