Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Marte, 16.02.2016
Të premten, më 19 shkurt, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë plenare, gjatë të cilës pritet të shqyrtojë një varg projektligjesh, raportesh e propozimesh.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të kryesuar nga kryetari Kadri Veseli.
Në seancën e të premtes, pas pikave të rëndomta të rendit të ditës, deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi do të votojë Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për projektin e rehabilitimit të rrugës hekurudhore 10, Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunim financiar 2014 për projektin e Huas, si dhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë Kosovë-Unicredit Bank Austria AG për financimin e Projektit të modernizimit të shërbimeve të kardiologjisë invazive në QKUK.
Në vazhdim, pritet të shqyrtohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për zhvillim për realizimin e Projektit për përmirësimin e sistemit të arsimit.
Për herë të parë, ndërkaq, do të shqyrtohen shtatë projektligje: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-237 dhe me Ligjin nr. 05/L-068, Projektligji për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës, Projektligji për regjistrimin dhe ofrimin e shërbimeve dhe masave për punësimin e të papunëve, punëkërkuesve dhe punëdhënësve, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-019 për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuar, Projektligji për investimet strategjike në Republikën e Kosovës, Projektligji për Kundërvajtje, si dhe Projektligji për sponsorizime dhe donacione në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.
Po në këtë mbledhje pritet edhe votimi i Propozim-Amendamentit nr. 25 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i riproceduar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Agjenda e punës së Kuvendit do të vazhdojë me shqyrtimin e Propozim-Rregullores për procedurat e zgjedhjes dhe shkarkimit të Avokatit të Popullit dhe zëvendësve të Avokatit të Popullit, shqyrtimin e Raportit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për standardizimin, shqyrtimin e Raportit të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Policinë dhe shqyrtimin e raportit të Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspekcionin Bujqësor. Do të shqyrtohet, gjithashtu, edhe rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2016.
Fare në fund, Kuvendi pritet të zgjedh një anëtar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe dy anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi një varg çështjesh dhe kërkesash, që lidheshin me aspekte të punës së Kuvendit.
Kështu, në bazë të rekomandimit të Komisionit Ad Hoc për rishpalljen e konkursit për anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave, Kryesia ngarkoi administratën e Kuvendit që në bazë të dispozitave të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, ta rishpall konkursin për tre anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave.
Lidhur me rekomandimin e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike për përzgjedhjen e Kompanisë për auditimin e pasqyrave vjetore financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për vitet 2015, 2016 dhe 2017, Kryesia autorizoi Administratën e Kuvendit të bëjë përzgjedhjen e Auditorit të jashtëm, konform rekomandimit paraprak.
Në vazhdim të mbledhjes, u shqyrtua kërkesa tjetër e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, për auditimin e raporteve financiare dhe raportit të deklarimit financiar të fushatës, të cilat dorëzohen nga subjektet politike në KQZ, për vitet 2013, 2014 dhe 2015.
Kryesia ngarkoi administratën e Kuvendit që, konform Ligjit për financimin e subjekteve politike, të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të bërë thirrje të hapur për aplikim, për përzgjedhjen e së paku 10 auditorëve të licencuar, të cilët do të auditojnë raportet vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës së subjekteve politike, për vitet 2013, 2014 dhe 2015.
Në këtë mbledhje, Kryesia u njoftua me ndërrimin e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komuniteteve të tjera, që nuk janë shumicë, sipas Marrëveshjes së tyre dhe Vendimit të Kuvendit, nr. 05-V-003, të datës 8 dhjetor 2014. Kështu, gjatë periudhës 8 shkurt 2016 - 8 prill 2017, nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komuniteteve të tjera, jo shumicë, të jetë Fikrim Damka, nga komuniteti turk. Kryesia, u njoftua, gjithashtu, edhe me shkresën e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me rekomandimin për transferin e mjeteve buxhetore për Radiotelevizionin e Kosovës për periudhën 1 janar - 31 mars 2016.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia miratoi kërkesën për emërimin e kryetarëve dhe nënkryetarëve të Grupeve të Miqësisë të Kuvendit të Kosovës, ndërsa vendet e caktuara vakante, pritet të plotësohen ndërkohë me propozim të grupeve parlamentare.