Lajmet e fundit
Komisioni për Punë të Jashtme sot priti këshilltarin e kongresistit Engel, z. Steinbaum
E Marte, 16.02.2016
Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme kanë pritur sot z. Jason Steinbaum, këshilltar i anëtarit të Kongresit z. Eliot Engel.
Kryetari i Komisionit, Enver Hoxhaj,i ka falënderuar SHBA-të për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe popullin e saj, e në këtë mes ka spikatur angazhimin personal të z.Jason , në më shumë se dy dekada, për Kosovën, e sidomos përkushtimin e kongresistit të njohur amerikan, Eliot Engel, për çështjen e drejtë të popullit të Kosovës. Ai ka vlerësuar lart kontributin e miqve amerikanë për realizimin e një varg njohjesh nga shtete të ndryshme të botës, për mbështetjen e anëtarësimit të vendit tonë në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë, për ndihmën në realizimin e MSA-së dhe përmbushjen e Objektivave të Mijëvjeçarit nga Kosova, duke u shprehur optimist se SHBA-të do ta mbështesin Kosovën edhe në procesin e liberalizimit të vizave dhe në anëtarësim në OKB.
Këshilltari i kongresit Engel, Jason Steinbaum, ka shprehur kënaqësinë për pritjen e ngrohtë që i ishte rezervuar dhe për përparimet e dukshme të vendit tonë. Ai ka theksuar se angazhimi i tij personal për Kosovën ka qenë puna e tij që i ka sjellë kënaqësinë më të madhe, duke pohuar se vetë kongresisti Engel ka rezervuar për Kosovën më shumë kohë se për çdo vend tjetër. Ai, ndërkaq, ka shprehur kënaqësinë që populli i Kosovës shpërfaq ndjenjat më të fuqishëm të miqësisë dhe të mirënjohjes për SHBA-të dhe popullin amerikan.
Të gjithë anëtarët e Komisionit të pranishëm në takim: Zafir Berisha, Teuta Rugova, Elmi Reçica dhe Ismet Beqiri, kanë vënë në spikamë vlerësimin e lartë për SHBA-të dhe popullin e saj për lirinë e Kosovës, për afirmimin ndërkombëtarë dhe për zhvillimin e saj ekonomik e shoqëror, duke theksuar se për çështje të brendshme të Kosovës ka dallime ndërmjet subjekteve të ndryshme politike, por jo edhe miqësinë e përhershme me SHBA-të. Ata,ndërkaq, janë shprehur optimistë se Qeveria amerikane do ta mbështesë Kosovën edhe në shumë procese të rëndësishme që e presin Kosovën, përfshirë edhe zgjidhjen e krizës politike që po mbretëron aktualisht.
Në takim është biseduar për angazhimet e përbashkëta ndërmjet dy vendeve kundër terrorizmit, e sidomos kundër atij të tipit të ISIS-it, kurse kryetari i Komisionit, Hoxhaj , ka shprehur shqetësimin e tij për forcimit të ndikimit rus në pjesën veriore të Kosovës.
Bashkëbiseduesit janë pajtuar që në afatin sa më të shkurtër të krijohen grupet e miqësisë në Kuvendin e Kosovës dhe në Kongresin amerikan.