Lajmet e fundit
Kryetari Veseli priti Presidenten e Maltës, Marie Louise Coleiro Preca
E Marte, 16.02.2016
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim Presidenten e Republikës së Maltës, Marie Louise Coleiro Preca. Në takim u bisedua për marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Maltës dhe ishte konstatim i përbashkët se këto marrëdhënie janë duke shënuar thellim të vazhdueshëm. Në këtë kontekst Presidentja Preca theksoi se vet vizita e saj në Kosovë është dëshmi e këtij thellimi marrëdhëniesh që në kuptimin e plotë të fjalës janë marrëdhënie miqësore me dy popujve evropianë.
Kryetari Veseli, nga ana e tij, shprehu mirënjohjen shtetit të Maltës për kontributin e dhënë gjatë fazës së shtetndërtimit të Kosovës dhe për përkrahjen që aktualisht është duke e dhënë në kuadër të mundësive që ka Malta brenda Bashkimit Evropian.
Mes tjerash Presidentja Preca theksoi se shteti i saj ka gjithë vullnetin për t'i ndihmuar Kosovës, pikësëpari në procesin e afërt të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, dhe pastaj edhe në fushën e ndërtimit të kapaciteteve institucionale të nevojshme për procesin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës.
Dy fusha tjera të bashkëpunimit të cilat u diskutuan në takim ishin fusha e arsimit dhe ajo e diplomacisë parlamentare. Kryetari Veseli theksoi se në platformën e tij të drejtimit të Kuvendit diplomacia parlamentare ka një rol shumë të rëndësishëm. Në këtë kuadër u diskutua për krijimin e grupeve të miqësisë në mes dy parlamenteve përkatëse dhe krijimin e një platforme të këmbimit të vazhdueshëm ndërparlamentar të përvojave legjislative.
Në fund të takimit, Presidentja Preca falënderoi kryetarin Veseli dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës për pritjen e ngrohtë që iu bë asaj dhe delegacionit të saj gjatë qëndrimit në Kosovë.