Lajmet e fundit
Deklaratë e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli
E Hënë, 15.02.2016
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, nëpërmjet një deklarate, ka përshëndetur publikimin e listës së uzurpatorëve të pronave të privatizuara dhe publike.
"E përshëndes publikimin nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit (AKP) të listës së uzurpatorëve të pronave të privatizuara dhe publike, nga viti 1999 e deri me sot. Ky është një hap i parë inkurajues në drejtim të transparencës së plotë të procesit të privatizimit në Kosovë, i cili duhet të pasohet nga hapa të tjerë.
I ftoj mediat, shoqërinë civile, mekanizmat e sundimit të ligjit, qytetarët, që të japin kontributin e tyre në këtë proces të transparencës.
Qytetarët e Kosovës kanë nevojë të dinë me emër dhe mbiemër se kush ka privatizuar në Kosovë gjatë gjithë këtyre viteve, por edhe se kush janë uzurpatorët dhe përfituesit e paligjshëm në Kosovë. Ju faleminderit të gjithëve për kontributin tuaj", thuhet në deklaratën e kryeparlamentarit Veseli.