Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Premte, 12.02.2016
Komisioni për Integrime Evropiane, i drejtuar nga Teuta Sahatqija, kryetare, mbajti sot një takim me përfaqësues të shoqërisë civile, në të cilin u diskutua rreth planit të punës të komisionit për vitin 2016.
Sahatqija, hapi këtë takim duke vlerësuar punën, si dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile si jashtëzakonisht të rëndësishëm. Ajo theksoi se roli i saj është i rëndësishëm për realizimin e ligjeve.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e shoqërisë civile theksuan se Komisioni për Integrime Evropiane është i vetmi që iu ka bërë ftesë për të shqyrtuar planin e punës së komisionit për vitin 2016, duke e vlerësuar se ky plan është shumë i përgjithësuar dhe lë hapësirë për plotësim të tij.
Disa nga çështjet që i vlerësoi shoqëria civile si më të rëndësishëm ishin ato të monitorimit të Ligjit për përgjime të komunikimit elektronik, dhe atij për Financimin e subjekteve politike. Ndër të tjera, u diskutua edhe rreth krijimit të një grupi të përbashkët punues të Komisionit me shoqërinë civile lidhur me Planin kombëtar për zbatimin e MSA-së, si dhe pjesëmarrjen e shoqërisë civile në vizita zyrtare jashtë vendit të komisionit me qëllim të forcimit të bashkëpunimit.
Pikat e tjera që u shtuan në planin e punës ishin ato të : raportimit të ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për çështjen e rekrutimeve të kosovarëve në ISIS, rastin e Kumanovës, për sigurinë në Kuvend dhe në Kosovë, vizitat nëpër komuna për monitorimin e realizimit të MSA-së, takimi me donatorët, konferenca me shoqërinë civile dhe ministrin e integrimeve evropiane lidhur me zbatimin e MSA-së, si dhe mbajtja e një tryeze në lidhje me financimin e subjekteve politike.
Në fund, Sahatqija falënderoi pjesëmarrjen e shoqërisë civile për kontributin e dhënë në këtë takim.