Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi ambasadoren gjermane Viets, atë franceze Daviet dhe ambasadorin italian, Ferrarese
E Premte, 12.02.2016
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot zhvilloi takime me ambasadoren e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, ambasadoren e Francës, Maryse Daviet dhe ambasadorin e Italisë, Andreas Ferrarese.
Në këto takime u bisedua për gjendjen aktuale në vend, me theks të veçantë në zhvillimet e deritanishme në Kuvendin e Kosovës dhe vazhdimin e punës në sesionin pranveror parlamentar.
Ambasadorët shprehen shqetësimet e qeverive të tyre përkatëse për këto zhvillime, duke theksuar se pamjet e dhunshme në Kuvendin e Kosovës janë të papranueshme dhe të dhimbshme, me efekte të dëmshme, jo vetëm për funksionimin demokratik të institucioneve, por edhe për proceset integruese të Kosovës, në radhë të parë, procesin e liberalizimit të vizave.
Nga ana e tij, kryetari Veseli, duke vlerësuar qasjen aktive të ambasadorëve në raport me situatën e krijuar, theksoi se si kryetar i Kuvendit të Kosovës të gjithë fokusin e ka në përpjekjet që të krijohet një hapësirë për komunikim dhe dialog politik mes palëve, në funksion të tejkalimit të gjendjes së krijuar.
Në takime u bisedua edhe për procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Kosovës. Ambasadorët theksuan nevojën që ky proces të jetë në përputhje me kriteret dhe afatet ligjore, ndërsa kryetari Veseli nga ana e tij premtoi se ky proces do të zhvillohet duke respektuar në përpikëri të plotë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, procedurat ligjore dhe transparencën demokratike.