Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 10.02.2016
Komisioni shqyrtoi Projektligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative , si dhe Raportin me amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike
U shqyrtua edhe një projektligj për ratifikimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare Komisioni për Buxhet dhe Financa në mbledhjen e sotme, shqyrtoi Projektligjin nr.05/L-31 për Procedurën e Përgjithshme Administrative dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, në aspektin e ndikimit buxhetor. Komisioni vlerësoi se Projektligji përmban kosto buxhetore, për sa i përket trajnimit të nëpunësve civil, por që kjo kosto do të financohet nga mjetet e Komisionit Evropian, përmes programit të IPA II dhe ndarjeve buxhetore të Ministrisë së Administratës Publike, si zbatuese e këtij ligji
Komisioni gjithashtu shqyrtoi Raportin me amendamente të Grupit Punues për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, të propozuar nga Nisma qytetare. Kryetari i Komisionit theksoi se Projektligj në fjalë është propozuar nga Nisma qytetare, e nënshkruar prej mbi 13,000 qytetarë. Projektligji është miratuar në lexim të parë dhe është kërkuar nga Qeveria që të dërgojë në Kuvend deklaratën e ndikimit buxhetor , siç parashihet me Rregullore të Kuvendit. Më tutje kryetari njoftoi se grupi punues ka shqyrtuar projektligjin dhe ka propozuar dy amendamente. Amendamenti i parë ka të bëjë me riformulimin e titullit të Projektligjit dhe amendamenti i dytë ka të bëjë me riformulimin nenit 69 të ligjit bazik, që rregullon çështjen e kompensimit të dëmeve materiale dhe jomateriale nga autoritetet publike dhe organizatat buxhetore, në bazë të aktgjykimit të formës së prerë të gjykatës kompetente. Komisioni përkrahu amendamentet e propozuara nga grupi punues dhe procedoi raportin me amendamente për shqyrtim në procedurat e mëtutjeshme në Kuvend.
Në të ndryshme, Komisioni shqyrtoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për realizimin e Projektit për Përmirësimin e Sistemit të Arsimit dhe e procedoi për ratifikim në Kuvend, me dy amendamente të propozuara.
Komisioni po sot shqyrtoi kërkesën e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për ndarje të mjeteve buxhetore për mbulimin e pagave bazë për ish anëtarët e Bordit të këtij autoriteti, të cilin nuk e përkrahu për shkak të mungesës së bazës ligjore për trajtimin e një kërkese të tillë.