Lajmet e fundit
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...
E Premte, 05.02.2016
Shqyrtimi i Projektligjit për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, ishte temë e debatit të sotëm në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, të kryesuar nga Lirije Kajtazi, kryetare e komisionit.
Gjatë shqyrtimit të këtij projektligji ishte i pranishëm edhe drejtori i shoqatës, "Handikos", Afrim Maliqi, i cili vlerësoi se projektligji është i krahasueshëm me ligjet e shteteve të rajonit dhe më gjerë. Ai në vijim paraqiti një mori rekomandimesh, e që, kishin të bënin me disa nga nenet e projektligjit.
Kryetari i grupit punues për amendamentimin e projektligjit, deputeti, Nenad Rashiq, ndërkaq, foli për punën e deritashme që është bërë lidhur me amendamentet, si dhe sfidat që do të paraqiten në implementimin e projektligjit, pas miratimit të tij. Ai me këtë rast vuri në pah koston e lartë financiare që kërkon zbatimi i ligjit, duke pasur parasysh numrin e madh të përfituesve nga ky ligj. Duke paraqitur rekomandimet e grupit punues, Rashiq, u shpreh se projektligji duhet të jetë më i qartë për sa i përket institucionit përgjegjës, përkatësisht ministrisë përgjegjëse, për implementimin e ligjit. Duhet, tha ai në vijim, që të definohet qartë edhe përgjegjësia e institucioneve komunale për implementimin e ligjit.
Komisioni vendosi që para miratimit të amendamenteve të organizojë një dëgjim publik dhe kërkoi që të definohet qartë kostoja financiare që kërkohet për implementimin e ligjit.
Në këtë mbledhje komisioni ka shqyrtuar edhe dy peticione.