Lajmet e fundit

Kryetari Veseli priti drejtorin ekzekutiv të Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbjes, Khalid Koser

E Mërkure, 03.02.2016




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot drejtorin ekzekutiv të Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbjes (GCERF), me seli në Gjenevë, Khalid Koser.


Në takim u bisedua për angazhimet e institucioneve të Kosovës dhe veprimet konkrete që janë ndërmarrë në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.


Kryetari Veseli potencoi përkushtimin maksimal të institucioneve të vendit për të ruajtur sigurinë për të gjithë qytetarët e vendit, kundrejt çdo forme të kërcënimit, që mund të manifestohet nëpërmjet agjendave të ndryshme të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.


Duke e falënderuar z. Koser për mbështetjen financiare të GCERF-së për Kosovën, kreu i Kuvendit vuri në pah edhe njëherë orientimin perëndimor të Kosovës dhe aspiratën e saj për t'u bërë sa më shpejtë pjesë e familjes së madhe evropiane.


Z. Khalid Koser, nga ana e tij, vlerësoi lart angazhimin e Kosovës e të institucioneve të saj për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe premtoi se organizata që ai udhëheq do të ndihmojë Kosovën në këtë drejtim.

 

 

Kryetari Veseli priti drejtorin ekzekutiv të Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbjes, Khalid Koser