Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Premte, 29.01.2016
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga kryetari i Komisionit, Naser Osmani, u shqyrtua dhe u përkrah Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për realizimin e Projektit për përmirësimin e sistemit të arsimit.
Këtë projektligj e paraqiti zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Agim Krasniqi, i cili sqaroi se qëllimi i kësaj marrëveshje është ngritja e cilësisë në sistemin e arsimit. Ai po ashtu njoftoi se kjo marrëveshje realizohet në formë kredie, shuma e së cilës është 11 milionë dollarëve, ndërkaq, kthimi i saj është paraparë brenda 20 viteve.
Po ashtu, në këtë mbledhje, komisioni vlerësoi se edhe Projektligji për mjekësinë ligjore, përfshirë edhe amendamentet e Komisionit funksional për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, duhet të përkrahet, për shkak se kostoja financiare e tij është lehtë e përballueshme.
Komisioni më tej shqyrtoi dhe përkrahu Raportin vjetor të punës për vitin 2015, ndërkaq, në fund shqyrtoi edhe peticionin e qytetarëve (13 mijë e 200 nënshkruesve), e që ka të bëjë me Ligjin për monitorimin e financave publike.
Lidhur me këtë, komisioni vendosi që kryetari i komisionit, Naser Osmani dhe nënkryetarja e komisionit, Safete Hadërgjonaj, të bisedojnë me përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, për tu njoftuar nga afër me koston financiare të këtij projektligji.