Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Marte, 26.01.2016




Komisioni për Buxhet dhe Financa në mbledhjen e sotme, shqyrtoi kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2016, të cilën e arsyetoi kryesuesi i Bordit Udhëheqës të Fondit, Ymer Havolli.

Kryetari i Komisionit, Naser Osmani, theksoi se në pajtim me nenin 2.1 të Ligjit nr. 04/L-168 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-101 për fondet pensionale të Kosovës, ka proceduar në Kuvend kërkesën për miratimin e taksave vjetore për vitin 2016. Fondi për vitin 2016 ka paraparë që të fillojë me rreth 1 miliard e 219 milionë euro kontribute nën menaxhim. Kthimi i investimeve do të jetë 3% përgjatë vitit, kontributet e arkëtuara do të jenë 128 milionë euro, ndërkaq tërheqjet e kursimeve të arrijnë 17 milionë euro. Gjatë vitit është planifikuar që mesatarisht të menaxhohet me 1 milard e 293 milionë euro.

Mbështetur në këto propozimin, buxheti i Fondit për vitin 2016 është miratuar në shumë prej 6,528,379 euro. Më tutje kryetari shtoi se taksa është propozuar të ulet, por në fakt kemi rritje të buxhetit të Fondit, si rezultat i rritjes së mjeteve nën meneaxhim.

Kryesuesi i Bordit Udhëheqës të Fondit, Ymer Havolli, arsyetoi para komisionit kërkesën, duke paraqitur, njëkohësisht, edhe të dhëna për vitin aktual.

Pas hapjes së diskutimeve, anëtarët e Komisionit paraqiten vërejtjet dhe sugjerimet lidhur taksat e propozuara. Në vazhdim, Komisioni i rekomandoi Kuvendit miratimin e kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për taksën operacionale prej 0,087% dhe taksën investive prej 0,40%, për vitin 2015.

Komisioni gjithashtu shqyrtoi Programin e Shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën janar-mars 2016. Kryetari i Komisionit theksoi se konform ligjit, RTK-ja ka dorëzuar në Kuvend planin e shpenzimeve për tremujorin e parë janar-mars 2016, ku kërkohet që të lejohet transferi i mjeteve nga buxheti i Kosovës, në shumë totale prej 2,400,000 milionë euro.

Kryesuesi i Bordit të RTK-së, Ismet Behxheti, prezantoi projeksionet e shpenzimeve të RTK-së dhe theksoi se përgatitja e buxhetit të RTK-së është bërë në bazë të projeksioneve të vitit paraprak.

Pas diskutimeve dhe propozimeve, Komisioni i rekomandoi Ministrisë së Financave, të bëjë transferin e mjeteve buxhetore nga Llogaria e Fondit të Konsoliduar të Republikës së Kosovës, nga buxheti i Radiotelevizionit të Kosovës - kategoria ekonomike subvencione dhe transfere, në llogarinë e RTK-së, për periudhën 1 janar - 31 mars 2016, në shumën prej 2,400,000 Euro. Po ashtu Komisioni rekomandoi që Radiotelevizioni i Kosovës në pajtim me ligjin, para fillimit të tremujorit të dytë, duhet të dorëzojë në Kuvendin e Kosovës Programin e shpenzimeve për periudhën prill-qershor 2016, si dhe Raportin e shpenzimeve të bëra për tremujorin e parë të viti 2016.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa