Lajmet e fundit
Komisioni për Zhvillim Ekonomik...
E Marte, 26.01.2016
Raporti i Performancës së Ndërmarrjeve Publike për vitin 2014, ishte temë e debatit të sotëm në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, të kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar i komisionit.
Raporti, tha në fillim të takimit, Mustafa, na mundëson që të mësojmë nga afër se si është duke u realizuar qeverisja korporatave në vend.
Lidhur me këtë, në vijim foli përfaqësuesja e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), përkatësisht, ushtruesja e detyrës së drejtorit në Departamentin për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, Flutura Shala.
Ajo tha se nga 17 ndërmarrjet publike në vend, vetëm 10 prej tyre kanë shfaqur performancë pozitive. Në mesin e ndërmarrjeve publike me bilanc negativ vjetor, ajo përmendi PTK-në, KEK-un si dhe aeroportin ndërkombëtarë të Prishtinë "Adem Jashari". Lavdëroi ndërkaq, ndërmarrjet e ujit, veçanërisht performancën e tyre operative .
Në mungesë të një raporti të detajuar financiar, si dhe të dhënave më të detajuara për shkaqet e performancës negative të disa ndërmarrjeve, komisioni vendosi që të mos e procedojë për mbledhje plenare në Kuvend. Vendosi që këtë ta bëjë pas kompletimit të raportit me të dhënat e kërkuara në mbledhjen e sotme.
Është kërkuar po ashtu, që në të ardhmen, raportet e ndërmarrjeve publike të dërgohen me kohë për shqyrtim në komision.
Në këtë mbledhje është debatuar edhe për Planin e Punës së Komisionit për tremujorin e parë për vitin 2016.
Lidhur me këtë, komisioni vendosi që ai të harmonizohet edhe me agjendën legjislative të qeverisë.