Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi drejtuesit e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës
E Marte, 26.01.2016
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi sot një takim me drejtuesit e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës (SHBPK), përkatësisht Këshillin nismëtar për shënimin e 80-vjetorit të lindjes së veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.
Kryetari Veseli dhe drejtuesit e Shoqatës diskutuan lidhur me programin për shënimin e 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit dhe njëkohësisht organizimit të aktiviteteve të tjera që do të zhvillohen gjatë tërë vitit 2016, i cili do të cilësohet si "Viti i Adem Demaçit".
Të gjitha këto aktivitete, do të organizohen me mbështetjen e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Gjatë takimit, kreu i Kuvendit tha se ndihet jashtëzakonisht i nderuar që institucioni që ai drejton, por edhe institucionet tjera të vendit, kanë mundësinë të bëjnë, siç vlerësoi ai, një gjë shumë të vogël për njeriun e madh, simbolin e kombit, njeriun e rezistencës, të vullnetit e të shpirtit të kombit tonë për liri dhe demokraci, Adem Demaçi.
Veseli garantoi se institucionet e Kosovës do të bëjmë të gjithë atë që është në përgjegjësinë e tyre, për të nderuar figurën e Adem Demaçit.
"Nëse ka njeri të gjallë mbi këtë tokë të cilit shqiptarët e Kosovës i kanë borxh për lirinë e tyre, ai është vetëm një: Adem Demaçi. Do t'i japim mbështetje çdo iniciative e cila është në shërbim të këtij emri. Sheshet në tërë Republikën e Kosovës do të marrin emrin e tij. Institucionet e Republikës së Kosovës do të kenë çmim kombëtar me emrin e Adem Demaçit, siç ekziston ai me emrin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu", theksoi kryeparlamentari Veseli, ndërsa shtoi se në kuadër të shënimit këtij përvjetori, do të botohen edhe libra dhe do të përgatitet një dokumentar për figurën e Demaçit.
Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Hydajet Hyseni, nga ana e tij, falënderoi kryetarin Veseli për pritjen dhe përkrahjen e parezervë në kremtimin e ditëlindjes së Adem Demaçit. Hyseni tha se Këshilli nismëtar nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, mbështetur nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Instituti Albanalogjik i Kosovës dhe ai i Historisë, si dhe segmente të tjera të shoqërisë, do të përpiqet ta rrumbullakësojë këtë shënim të këtij përvjetori, të cilësuar si viti i Adem Demaçi. Ky këshill, shtoi Hyseni, është në fazën e parë të funksionalizimit të tij, ndërsa në të ardhmen do të zgjerohet e kompletohet më tej.