Lajmet e fundit
Kryetari Veseli priti një grup studentësh nga Vjena
E Premte, 22.01.2016
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim një grup prej 130 studentësh nga vende të ndryshme, që studiojnë për të drejtat e njeriut dhe demokratizimin në Universitetin e Vjenës.
Para studentëve, kryeparlamentari Veseli foli për të arriturat e deritashme të shtetit të Kosovës, vlerat e saj sociale, kulturore e politike, por edhe dhe sfidat me të cilat ajo ballafaqohet.
Gjatë fjalës së tij, kryetari Veseli u fokusua edhe në angazhimet e Kuvendit për përmbushjen e obligimeve që dalin nga përgjegjësitë kushtetuese të tij, si në hartimin një infrastrukture moderne ligjore të vendit, ashtu edhe në përfaqësimin e denjë qytetar dhe mbikëqyrjen e punës së institucioneve ekzekutive.
Kreu i Kuvendit potencoi orientimin euro-perëndimor të qytetarëve të Kosovës dhe përkushtimin maksimal të institucioneve të vendit për përfshirje sa më të shpejtë në strukturat euro-atlantike.
Studentët, nga ana e tyre, duke e falënderuar kryetarin Veseli për pritjen e ngrohtë, shfaqën interesim për çështje të ndryshme, që lidheshin aspekte zhvillimore të vendit tonë.