Lajmet e fundit
Grupi i Miqësisë Austri-Kosovë u prit nga Komisioni për Integrime Evropiane
E Enjte, 21.01.2016
Komisioni për Integrime Evropiane, i kryesuar nga Teuta¬ Sahatqija, ka pritur sot në takim një delegacion parlamentar nga Austria, anëtarë të Grupit të Miqësisë Austri - Kosovë.
Kryetarja e Komisionit, Sahatqija, falënderoi mysafirët për angazhimin e Austrisë, si në fazën e arritjes se pavarësisë, ashtu edhe në periudhën aktuale, kur Kosova po avancon në zhvillimin kapaciteteve demokratike dhe rrugëtimin e saj të integrimit euro-atlantik. Ajo po ashtu, i informoi parlamentarët austriakë për nënshkrimin dhe ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit midis BE-së dhe Kosovës.
Kryetari i Grupit të Miqësisë Austri - Kosovë, Cristoph Vavrik, nga ana e tij, theksoi se ky takim është i pari i këtij lloji që po zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Austrisë. Ai kërkoi qëndrim konkret për realizimin, respektivisht, implementimin e marrëveshjes kontraktuale, si dhe shprehu gatishmërinë e partnerëve austriakë për të ndihmuar Kosovën në synimet e saj.
Anëtarët e Komisionit, theksuan domosdoshmërinë e marrjes së vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke vlerësuar se MSA-ja nuk mund të jetë e plotë pa këtë proces.
Nga Grupi i Miqësisë Austri- Kosovë u kërkua që të mbështesë Kosovën në hapat e vazhdueshëm të forcimit të shtetit, duke qenë zëri i tij në forumet ndërkombëtare.