Lajmet e fundit
Komisioni për Punë të Jashtme takoi Grupin e Miqësisë Austri-Kosovë të Parlamentit të Austrisë
E Enjte, 21.01.2016
Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, i prirë nga Enver Hoxhaj, kryetar, priti sot Grupin e Miqësisë Austri-Kosovë të Parlamentit të Austrisë.
Kryetari i komisionit, Hoxhaj, në fillim të takimit miëqve austriakë iu uroi mirëseardhje dhe i falënderoi për vizitën, ndërkaq, në vijim i njoftoi për angazhimet e komisionit.
Hoxhaj më pas foli për miqësinë Kosovë- Austri, për të cilën tha se është kalitur ndër vite të gjata bashkëpunimi. Kosova, tha Hoxhaj, ka arritur të jetë anëtare e shumë institucioneve ndërkombëtare falë angazhimit të Austrisë. Ai po ashtu vlerësoi se ky bashkëpunim do të vijojë edhe në të ardhmen, me një intensitet edhe më të madh.
Në emër të Grupit të Miqësisë Austri-Kosovë, fillimisht foli Christof Varnik, kryesues i delegacionit. Ai e vlerësoi bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet të dyja vendeve, me theks të veçantë atë ndërparlamentar.
Varnik, vlerësoi edhe të arriturat deritashme në Kosovë dhe bëri thirrje për një mobilizim të gjithmbarshëm të spektrit politik në vend.
Austria, tha në vijim Varnik, mund të jetë shtytëse për një fillim të mbarë të vitit, ndërkaq, premtoi angazhim të mëtejmë të vendit të tij në rrugën e integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
Duke folur për zhvillimet politike në Kosovë, ai vuri në pah nevojën e një dialogu parlamentar dhe bëri thirrje për evitimin e skenave që krijojnë imazh negativ për Kosovën.
Anëtarët e tjerë të delegacionit austriak, ndërkaq, shprehën interesimin e tyre lidhur me ecurinë e dialogut Kosovë- Serbi, zhvillimet e brendshme politike, si dhe çështjen e migrimit ilegal, e shprehur si dukuri kohëve të fundit.
Anëtarët Komisionit, Glauk Konjufca, njëherësh kryetar i Grupit Parlamenatr të Vetëvendosjes, Blerta Deliu, Elmi Reqica dhe Qerim Bajrami, shfaqën opinionet e tyre lidhur me interesimin e mysafirëve, ndërkaq, kërkuan mbështetje të mëtejme nga shteti austriak, me theks të veçantë lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Anëtarët e komisionit, vlerësuan se takimi i sotëm do të ndikojë që opinioni i gjerë austriak të njihet me realitetin në Kosovë, aspiratat euro-atlantike të saj, si dhe gjendjen e statusit politik të komuniteteve jo shumicë në vendin tonë.
Më pas është organizuar një takim i përbashkët me mediat, në të cilën u shprehën qëndrimet lidhur me çështjet e ngritura gjatë takimit.