Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi znj. Florence Mangin, drejtore e Departamentit për Evropën Kontinentale në Ministrinë e Jashtme të Francës
E Premte, 15.01.2016
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi sot një takim me znj. Florence Mangin, drejtore e Departamentit për Evropën Kontinentale në Ministrinë e Jashtme dhe për Zhvillim Ndërkombëtar të Francës.
Temë e bisedës së këtij takimi ishin zhvillimet nëpër të cilat po kalon Kosova aktualisht dhe sidomos hapat që ajo po ndërmerr në kuadër të agjendës së saj euro-integruese.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, theksoi se komunikimi dhe dialogu pozitë-opozitë është çelësi i arritjes së rezultateve që avancojnë interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Dialogu me fqinjët, shtoi kryetari Veseli, jo vetëm në rastin e Ballkanit por gjithkund në botë, është i dobishëm dhe rrugë e vetme e zgjidhjes së kontesteve. Ai shprehu përkushtimin e tij që Kuvendi dhe deputetët të përmbushin obligimet e tyre ligjore dhe kushtetuese, duke realizuar agjendën legjislative. Me këtë rast, kryetari Veseli falënderoi shtetet mike të cilat kanë dhënë kontributin e tyre që Kosova të ketë gjithandej procese pozitive në shtetndërtim dhe në rrugëtimin e saj integrues.
Znj. Florence Mangin, nga ana e saj, tha se Franca është mbështetëse e fuqishme e të gjitha proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova, si: procesi euro-integrues, zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, dialogun me fqinjët dhe liberalizimi i vizave.
Sa i përket punës së Kuvendit, ajo tha se dhuna nuk është mjet dhe vlerë e demokracisë, duke shfaqur shpresën për gjetjen e një rruge të arsyeshme ndërpartiake, në mënyrë që Kosova të përqendrohet në proceset e rëndësishme që ka para vetes.