Lajmet e fundit
Kryetari Veseli uron Peshkopin Teodosije dhe besimtarët ortodoksë në Republikën e Kosovës, për Festën e Krishtlindjes Ortodokse
E Mërkure, 06.01.2016
Me rastin e Festës së Krishtlindjes Ortodokse, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, nëpërmjet një telegrami ka uruar Peshkopin Teodosije dhe të gjithë besimtarë ortodoksë në Republikën e Kosovës.
Në telegram thuhet:
"I nderuar Peshkop Teodosije,
Më lejoni që në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, t'ju shpreh urimet e mia më të përzemërta me rastin e Ditës së Krishtlindjes Ortodokse, juve dhe të gjithë besimtarëve ortodoksë në Republikën e Kosovës.
Uroj që kjo ditë feste të shërbejë për të forcuar besimin dhe respektin e ndërsjellë; të mbizotërojë mirësia dhe vullneti dhe të vendosim së bashku për të punuar e ndërtuar një të ardhme ku të gjithë njerëzit mësojnë të duan njëri-tjetrin dhe të jetojnë së bashku në harmoni; për të realizuar shpresat tona për paqe, liri, tolerancë dhe drejtësi për të gjithë, pa dallim.
Në këtë ditë të shenjtë për Ju, ju uroj për shumë mote gëzuar Krishtlindjen!"