Lajmet e fundit
Kryetari Veseli uron qytetarët e Kosovës me rastin e ndërrimit të motmoteve
E Enjte, 31.12.2015
Me rastin e Festës së Vitit të Ri, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka uruar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
"Në prag të ndërrimit të motmoteve, qëndrova në familjen e Fadil Rexhepit në Gadime të Epërme të Lipjanit, veteran i UÇK-së. Olsës së vogël, e cila ishte fëmija i parë i lindur në Kosovë në vitin 2015, i urova ditëlindjen e saj të parë.
Me këtë rast, dëshiroj që në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, të gjithë qytetarëve tanë, grave dhe burrave, fëmijëve, të rinjve dhe të moshuarve, shërbyesve civilë, punëtorëve të sektorit privat dhe sipërmarrësve, arsimtarëve, studentëve, profesorëve universitarë, mjekëve, fermerëve, veteranëve të UÇK-së, familjeve të dëshmorëve, policëve dhe ushtarëve të Kosovës, qytetarëve me nevojave të veçanta, bashkatdhetarëve tanë kudo në botë, Gëzuar Viti i Ri 2016!
Qoftë një vit i mirëqenies në familjet tuaja dhe i mbarësisë në punë e shoqëri!", thuhet në urimin e kryeparlamentarit Veseli.