Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi filozofin kroat, Zharko Puhovski dhe profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Martin Berisha
E Marte, 22.12.2015
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, takoi sot ndarazi dy intelektualë të njohur të rajonit tonë dhe më gjerë, filozofin dhe analistin kroat, Zharko Puhovski, dhe profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare nga Lubjana, Martin Berisha.
Në këto takime u shkëmbyen mendime dhe pikëpamje mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, por edhe ato në rajonin tonë, pengesat dhe aspiratat për të ecur përpara në rrugën evropiane.
Kryetari Veseli i njoftoi mysafirët me ngjarjet që shoqëruan jetën politike dhe parlamentare të Kosovës në muajt e fundit, duke shprehur njëkohësisht përkushtimin e institucioneve për krijimin e kushteve për një zhvillim më të hovshëm ekonomik, në funksion të përmirësimit të jetës ekonomike-sociale të qytetarëve.
"Në kohë sfidash për politikën dhe shoqërinë, në momente krizash mes shtetesh apo mes grupeve politike brenda shteteve, është zëri i mendimit intelektual të cilin na duhet ta dëgjojmë me shumë vëmendje", vlerësoi me këtë rast kryetari Veseli.